Ekuadori, Brazili dhe Kolumbia janë tashmë të njohura si baza ku janë vendosur bandat shqiptare. Por një tjetër është zbuluar, sërish në vendet e Amerikës Latine. Nga arrestimi i një bossi italian të mafias, Carmine Alfonso Maiorano, duket se shumë pranë goditjes janë edhe organizatat shqiptare në Argjentinë.

Reuters bën me dije se Policia federale e Argjentinës arrestoi dje një mafioz të lartë italian në periferi të Buenos Aires, duke i dhënë fund një gjuetie prej vitesh për kapjen e tij. 68-vjeçari, një figurë e njohur e ‘Ndrangheta-s’ u vendos në Argjentinë disa vite më parë. Por jo i vetëm.

Sipas Policisë së Argjentinës, ai kishte bashkëpunëtorë të ngushtë homologët shqiptarë, që funksionin edhe në Evropë. Mesa duket shqiptarët merreshin me organizimin e tregut vendas dhe transportin, ndërsa Maiorano merrej me kontaktet me Italinë duke siguruar shpërndarjen e drogës në të gjithë Europën.

Për momentin në pranga është vendosur vetëm 68-vjeçari, por nuk dihet nëse ka ndonjë emër shqiptar që është shumë pranë arrestimit nga autoritetet vendase. Deri më tani, nga raportimet e vrasjeve dhe kronikat e mediave vendase janë zbuluar shumë grupe shqiptare që funksionojnë në vendet e Amerikës Latine. Por emrat e tyre bëhen publike vetëm kur vriten, ose arrestohen, pasi në të kundërt janë thuajse të padukshëm dhe të heshtur në punën e tyre.