Politikani britanik, Nigel Farage, ish-eurodeputet dhe ish-lideri i partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar, tha për BBC se ka një ‘përmbytje’ shqiptarësh që po vijnë në Britani.

Sipas tij, ata po bëjnë që sistemi i emigrimit të shkojë në pikën e kolapsit.

Duke folur për BBC, ai tha se shumica e atyre që po kalojnë Kanalin Anglez me gomone janë shqiptarë.

Sipas tij, ata vijnë për t’u bashkuar me bandat kriminale. Farage tha se hotelet janë plot me emigrantë, duke shtuar se kushdo që hyn në Mbretërinë e Bashkuar me gomone, nuk duhet të marrë statusin e refugjatit.

Deklaratat e tij janë pritur me kritika nga një pjesë e politikanëve britanikë.

Ato vijnë në kohën kur është shtuar ndjeshëm numri i personave që kalojnë me gomone në Kanalin Anglez. Vetëm të shtunën u raportua se kanë kaluar 1 mijë persona.

Ekspertët thonë se shumica e tyre janë shqiptarë. Ndërkohë politikanët thonë se ata nuk vijnë nga një vend në luftë.