Deklarata e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës se Sokol Olldashi humbi përballë Lulzim Bashës, pasi gaboi duke mos u mbështetur strukturat e partisë dhe jo tek anëtarësia ka ngjallur reagime. Konkretisht nga vëllai i ish-deputetit të Partisë Demokratike.

Për Ardian Olldashin, e gjitha është një gënjeshtër. Në reagimin e tij të bërë në Facebook, Ardian Olldashi tha se Berisha ka kërcënuar çdo kryetar dege që të mos mbështesin vëllanë e tij në garën për kreun e partisë, teksa kujton edhe një episod se si Basha i ka shkuar Berishës në zyrë që t’i kërkonte që të tërhiqej nga gara, por ish-kryeministri e ka refuzuar.

“Nuk është e vërtetë! Ti e di mirë që Koli fitonte me çdo formulë. Të mërkurën në darke, pra ne datën 26.06.2013, Basha të erdhi ne zyre gati duke qarë dhe u këshillua me ty për një tërheqje të mundshme të tijën. Për ç‘arsye? Për arsyen se të dhënat që vinin e jepnin Kolin në avantazh. Ti ke marr personalisht në telefon pothuajse çdo kryetar nëpër rrethe. Natyrisht jo për t’i uruar natën e mirë, sepse në fakt ishte darkë, por për t’i kërcënuar me shprehje që më mirë mos t’i perserisim. Ty dhe jo vetëm ty të vjen spontanisht pyetja: Nga i ditkam unë këto gjëra? I di nga ata që atë darkë ishin prezent në zyrën tende. Fatkeqësisht politika është i vetmi zanat për të cilin nuk bëhet shkolle. Rezultatet duken,”- shkruan vëllai i Sokol Olldashit, duke ndarë edhe videon e momentit të deklaratës së Berishës.. ”

“Sokol Olldashi ishte më epror se Lulzim Basha, pa diskutim. Por Sokol Olldashi, megjithëse politikan i mençur dhe i vendosur, në mënyrë të habitshme për mua, bëri një gabim thelbësor në fushatën e Sokolit. Gabimi i tij ishte që mua më mbështesin strukturat, ato ishin pakica. Sokoli ishte një nga më të aftit dhe ishte i rritur në Partinë Demokratike, nuk arrita kurrë ta kuptoj se si doli me këtë tezë. E hapi fushën. Basha doli me tezën, jam me anëtarët. Kur e vendosa një anëtar një votë, nuk kishte dalë asnjë kandidat zotëri,”- tha Berisha.