Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili është dërguar për kurim në Ankara për shkak se është infektuar me COVID nëpërmjet një reagimi në rrjetin social Facebook bën thirrje për të pasur vëmendje npër hir të fëmijëve dhe familjes.

Postimi i plotë i Muhamed Sytarit

Të dashur e të shtrenjtë vëllezër, miq, familjarë, dashamirë, kolegë, shokë të rrugëtimeve, qytetarë të zemrës, krejt të afërm të zemrës sime!

Jeta e kësaj bote është vendi i sprovave, me të cilat jemi ftuar të përballemi me durim dhe besim në Zotin tonë, që na do dhe na dhuron bekime edhe nëpërmjet sprovave. Sa ëmbël e pastër e thërret i sprovuari Zotin e tij, sa nuk ka penë ta përshkruajë madhështinë e thirrjes së zemrës së thyer para duarve të Krijuesit të saj.

Prej disa ditësh, po përballem me pasojat e covidit dhe, së bashku me të shtrenjtin Haxhi Babën tim, po ndjekim protokollet e kurimit, me shpresën e madhe në Allahun e Madhëruar, që të na nxjerrë faqebardhë e të veshë me rrobat e shërimit dhe shëndetit të plotë.

Tashmë, kjo situatë botërore nuk është më lajm, porse, me ndihmën e Zotit, e mira do e mundë të keqen dhe fidanet e të vepërmirëve do e mposhtin kiametin e nxitësve të tij

Prandaj, të lutemi shumë dhe të jemi të vëmendshëm për fëmijët tanë, për familjen, miqtë dhe tokën tonë të shtrenjtë, Nanen tonë të përbashkët.

Jam i paaftë tju falënderoj emër për emër e shembull për shembull për çfarë keni bërë për mua, por ju garantoj se jam krenar me miqësinë tuaj, duatë, mesazhet, përkushtimet e gatishmërinë për të qenë dorë për dorë me ne në këtë sprovë familjare.