Nga e hëna, Fuat Vjerdha do të kthehet në krye të Gjykatës së Apelit të Shkodrës për të nisur nga puna me dhjetëra dosje. Në një intervistë për ABC News, Vjerdha deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e ka bërë për të vuajë për plot 16 muaj, të cilat i ka numëruar me padurim për të nisur nga puna me pasionin që e ka shoqëruar në këto vite. Por ka pasur në krah miq dhe familjarë dhe qindra qytetarë të Shkodrës të cilët me anë të një peticioni drejtuar KPA kërkuan rikthimin e tij në organet e drejtësisë. Vendimin e KPA, Vjerdha e cilëson si një hap që ka rritur besimin e qytetarëve tek Reforma në Drejtësi.

Mirëmbrëma falenderimet më përkasin mua për ju. Unë di që ata kanë marrë një vendim që më ka bërë të vuaj 16 muaj por falë mbështetjes së bashkëqytetarëve të mi e kam kaluar atë moment të vështirë pasi i kam paraqitur KPA një peticion me disa firma që kundërshtojnë vendimin e KPK.

Kjo mbështetje popullore mua më ka bërë të ndihem mirë. Unë, në momentin që është dhënë vendimi për shkarkimin nga detyra kam thënë se dal kryelartë nga salla sepse unë nuk kam pasuri të paligjshme dhe nuk kam kontakt me persona të inkriminuar. Në të gjitha rekomandimet që ka dhënë ILDKP të gjitha ishin në favorin tim. E përshëndes vendimin e KPA dhe jam i bindur që më këtë vendim e kanë rritur besimin e publikut te Reforma në Drejtësi” u shpreh Vjerdha.

Ai deklaroi se të ardhurat e tij kanë qenë të ligjshme ndërsa theksoi se trupi gjykues që vendosi shkarkimin e tij e cilësoi problem faktin se një shumë parash të përdorura prej tij kishin qenë në emër të të atit. Lidhur me këtë fakt Vjerdha theksoi se ka jetuar gjatë gjithës jetës me të atin dhe nuk e kishte parë të nevojshme që paratë ti kalonte me doemos në emrin e tij.

“KPK në të gjithë analizën e tij thekson se të ardhurat e mia kanë qenë të ligjshme. I vetmi problem i imi ishte se këto të ardhura i kisha në emrin e babait tim me të cilin kam jetuar gjithë jetën se jam djali i vetëm. Ndoshta duhet ta kisha bërë këtë deklarim se kjo shumë lekësh është në emër të babait. Unë nuk e imagjinoja jetën të ndarë nga babai sepse kështu ka qenë jeta ime. Kam qenë i bindur që do kthehesha në detyra. Unë i njoh në distancë të gjithë anëtarët e KPA dhe e di se çfarë niveli kanë ato. E falenderoj relatoren e çështjes. Nuk po rri me dhënë emra por ajo mendoj se ka një peshë në këtë vendim” tha Vjerdha.

Kreu i Gjykatës së Apelit të Shkodrës u ndal edhe tek vendimi për të votuar kundër lirimit të Dritan Dajtit, por shtoi se nuk beson se kjo ka sjellë shkarkimin e tij pasi nuk ka pasur asnjë kërcënim dhe asnjë intimidim.

“Unë nuk kam pasur asnjëherë asnjë kërcënim dhe asnjë intimidim pavarësisht vendimmarrjeve të mia, qoftë edhe ajo për Dritan Dajtin. Nuk besoj se ajo ka pasur ndikim në vendimin për shkarkimin tim. 16 muaj jam larg punës. Mendoj do konsultohem edhe me kryetaren e KED, KLGJ dhe besoj se do filloj punën të hënën, duke pasur parasysh që në Gjykatën e Apelit të Shkodrës kanë mbetur vetëm tre gjyqtarë dhe më pret një punë e madhe” deklaroi ai.