Pas zhurmës së madhe në media, për të përjashtuarit nga lista e kandidatëve për deputetë, të disa emrave të njohur në Partinë Demokratike, ishte vetë selia blu, e cila publikoi listën me 13 emra, që janë lënë në listën e pritjes së aprovimit nga ana e Komisionit.

Në listën e të përjashtuarve ishin: ANDON FRROKAJ, ARBEN KASHAHU, ENDRI HASA, ERVIN SALIANJI, FATBARDHA KADIU, IZMIRA ULQINAKU, LINDITA METALIAJ, LORENC LUKA, LUAN BACI, NADIRE MEÇORAPAJ, ROMEO GURAKUQI, TRITAN SHEHU dhe XHEMAL GJUNKSHI.

Disa prej të përjashtuarve kanë reaguar në rrjetet e tyre sociale, duke thënë se ata do ti binden çdo vendimi të kryesisë dhe të strukturave të partisë, dhe jo vlerësimeve të Komisionit, dhe se fati i tyre do të vendosej nga kreu demokrat Lulzim Basha.

Por a mund të rifuten ata në listë, pas vendimit të Komisionit të Vlerësimit

Të gjitha gjasat janë që jo! Ka qenë vetë kreu demokrat, ai i cili ka përkufizuar qartë se çfarë do të ndodhë me të gjithë kandidatët që Komisioni i lë në listën e pritjes. Të gjithë këta pëersona, thuhet në dokumentin e firmosur nga Basha, mund të jenë pjesë e qeverisë, nëse PD fiton zgjedhjet por jo në listën e deputetëve.

“Kandidatët që nuk përzgjidhen në fazën finale, kalojnë në listën e kandidatëve që iu shtyhet aprovimi. Lista e kandidatëve që i shtyhet aprovimi përbën një listë të certifikuar të burimeve njerëzore të PD, që mund të përdoret për përfaqësimin e Partisë në nivele ekzekutive polirike, në detyra shtetërore si funksionarë politik apo shtetëror të nivelit drejtues, apo si përfaqësues në këshillat lokal“ thuhet në dokument.

Mbetet për tu parë nëse do të ketë surpiza të momenteve të fundit, por në të kundërtën vetë të përjashtuarit duhet të jenë të interesuarit e parë që PD të fitojë zgjedhjet e radhës, në mënyrë që të mund të shpresojnë ndonjë pjesë torte të pushtetit