Italia është kthyer në qendër të vëmendjes ditët e fundit ndërsa epidemia e koronavirusit ka marrë jetën deri më tani të tre personave, ndërsa mbi 150 të tjerë raportohet të jenë të infektuar

Epidemia kryesisht është përhapur në veri të vendit, ndërsa shteti është ngritur në këmbë për të menaxhuar situatën, ku janë marrë një sërë masash si mbyllja e shkollave, pezullimi i aktiviteteve publike deri sa është dhënë urdhër për mbylljen edhe të Katedrales në Milano

Raportohet se njerëzit flasin vetëm për koronavirusin atje, teksa duhet theksuar se një numër mjaft i madh shqiptarësh jetojnë në shtetin fqinj por që fatmirësisht, deri më tani nuk është raportuar për ndonjë të infektuar

Ndërkohë, e nderë paraqitet situata nëpër rrugët e qyteteve në veri të vendit si në zonat e Lombardisë, Veneto, Emilia Romana por edhe nëpër qendra tregtare e supermarkete, prej këtyre të fundit janë larguar produketet që shiteshin deri së fundmi dhe ku raftet kanë mbetur të boshatisura

Mediat italiane raportojnë se banorët dalin sa për të marrë furnizime dhe pjesën dërrmuese të kohës qëndrojnë të izoluar nëpër banesat e tyre.