20-vjeçari Klevis Ruçaj, i cili po drejtonte mjetin e llojit “Audi” ra mbrëmjen e djeshme nga mbikalimi i Saukut mbi kofanon e një tjetër makine, duke lënë pas dy viktima në momentin e ngjarjes dhe pak orë më vonë do të ndërronte jetë në spitalin e Traumës, aty ku po merrte mjekim të specializuar nga mjekët.

“ORA News” siguron pamjet e aksidentit tragjik me 3 viktima dhe 3 të plagosur, ku i riu po udhëtonte me makinën e llojit “Audi” nga Farka dhe për shkak të shpejtësisë së lartë theu barrierat e mbikalimit të Saukut e ra mbi mjetin “Honda”.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, duket qartë që mjeti që drejtohej nga i riu ishte me një shpejtësi marramendëse, dhe për pak një tjetër automjet ka mundur t’i shmangej përplasjes para se “Audi” të fluturonte nga mbikalimi.

Dy vajzat që ndodheshin në makinë me Ruçajn humbën jetën, teksa tre personat po marrin mjekim tek spitali i Traumës jashtë rrezikut për jetën.