Popullsia në Shqipëri ra me mbi 36 mijë vetë ose 1.3% e totalit gjatë vitit 2022, rënia më e madhe e shënuar ndonjëherë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Të dhënat e publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave tregojnë se populsia rezidente në vitin 2022 vlerësohet të jetë 2.79 milionë banorë, nga 2.83 milionë që vlerësohej në vitin 2021.

Popullsia e Shqipërisë ka qenë në rënie të vogël që prej vitesh, por ritmi i rënies, sipas vetë vlerësimeve të INSTAT, është përshpejtuar në mënyrë dramatike gjatë vitit të fundit. Në vitet 2018 e 2019, ritmi i rënies vjetore ishte respektivisht 0.2 dhe 0.3% por ai u përshpejtua në 0.6% në vitet 2020 dhe 2021 për të shpërthyer në 1.3% në vitin e kaluar.

Instituti i Statistikave vlerëson popullsinë vjetore duke marrë parasysh numrin e lindjeve dhe të vdekjeve, si dhe një vlerësim mbi migrimin e popullsisë. Gjatë vitit të kaluar, lindjet në Shqipëri ishin lehtësisht më të larta se sa vdekjet dhe kjo do të thotë se rënia e popullsisë ka ardhur tërësisht si pasojë e emigrimit.

Edhe struktura e rënies së popullsisë tregon se moshat e reja janë ata që janë pakësuar më shumë. Sipas të dhënave, brezi i shqiptarëve të moshës 20-24 vjeç u pakësua me 7.1% ose mbi 15 mijë vetë ndërsa brezi 25-29 vjeç u pakësua me 6,300 vetë dhe ai 15-19 vjeç me 5,900 vetë. Rënie të konsiderueshme pësuan edhe grupmoshat e foshnjave. Fëmijët 0 deri në 4 vjeç u pakësuan me 5 mijë vetë ose 3.5% ndërsa dy grupmoshat e tjera të fëmijëve, 5-9 dhe 10-14 vjeç u pakësuan me 1.9%.

Me rritje ishin grupmoshat 60-74 vjeç si dhe grupmoshat 30-44, ku këto të dytat patën rritje më të vogël. Në tërësi, numri i shqiptarëve nën 20 vjeç ra me 17 mijë ndërsa numri i shqiptarëve mbi 60 vjeç u rrit me 12 mijë. Popullsia ekonomikisht aktive, e cila përfshin si konvencion popullsinë mbi 16 dhe nën 64 vjeç, ra me 32 mijë vetë.