Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj është arrestuar ditën e sotme, pasi akuzohet për shpërdorim detyre. Së bashku me Gjokutajn, në pranga kanë rënë edhe përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori juridik i Ministrisë së Financave’, Fatmir Hoxhaj. Ata firmosën dokumente për t’i kaluar 1.2 mln euro Ilir Thanës, duke e trajtuar si ish-pronar, por që nuk e kishte një status të tillë. Nga kjo shumë, Ilir Thana mori vetëm 400 mijë €, teksa sekretarit të Përgjithshëm, përmbaruesuesit dhe drejtorit, ai iu dha ryshfet 82 mln lekë. Pjesa tjetër e parave Ilir Thanës do t’i kalonte në muajt në vijim, por skema e mashtrimit u pikas.

Skema e mashtrimit
Gjithçka lidhet me një kontratë blerje të firmosur mes Ilir Thanës, i arrestuar në dhjetor 2022, dhe Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar për privatizimin e një objekti magazinë nr.2 në vitin 1992. Pas vendimit të gjykatës së Apelit të Tiranës, kontrata u shpall e pavlefshme dhe palët u kthyen në pozicionin e mëparshëm. Ndaj Ilir Thanos u kthye shuma prej 103.046 lekësh me të cilën ky shtetas kishte blerë objektin e magazinës. Ministria e Financave transferoi në llogarinë e Ilir Thanës shumën prej 284.139, sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.

Më tej, Ilir Thana i është drejtuar Zyrës Përmbarimore e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar Ilir Thanën në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status. E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë Ilir Thanës është në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.

Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës shumën prej 48.118.366 lekësh. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të një gruaje me inicialet Sh.P. Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe Gjokutajt, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur. Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e shumën e kaluar ndaj Ilir Thanës dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.

Kush ishte Arlind Gjokutaj?
Arlind Gjokutaj u emërua si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në tetor të 2021. Më herët, ai ka mbajtur postin e drejtorit të doganave, ka qenë pjesë e Njësisë Speciale të Antikorrupsionit dhe Antievazionit si edhe te Drejtoria e Parandalimit të pastrimit të parave.