Eksperti i ekonomisë dhe financave Arben Shkodra, i ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, ka komentuar buxhetin e vitit 2023, ku në sy bie rikthimi i “Lojërave të Fatit online” si dhe taksa 33% për prodhuesit e energjisë.

Shkodra tha se qeveria duhet të ishte më transparente kur bëhet fjalë për “Lojërat e Fatit”, pasi 2 miliardë lekë të ardhura duhet të shpërndahen tek familjet shqiptare dhe jo për të rritur të ardhurat në shtet.

Sa i përket taksës për prodhuesit e energjisë, ai theksoi se kjo është një barrë e rëndë për prodhuesit e vegjël, të cilët po i shesin energji me një çmim të disvavorshëm shtetit, ndryshe nga prodhuesit e mëdhenj të cilët kanë fitime shumë të mëdha pasi po e shesin energjinë në bursë.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Buxheti 2023, paketa fiskale, nuk është se kishte ndryshime drastike. Rikthimi i Lojërave të Fatit, dhe Taksa për prodhuesit e energjisë. Pse kërkohet rikthimi i lojërave të fatit?

Shkodra: Po ta shohim politikisht nuk ka kurrëfarë sensi, rikthehemi për ta vendosur në një kontekste tjetër, që shqiptarët do vazhdojnë të luajnë, do vazhdosh të paguash dhe harxhosh para. Ajo fabula e ruajtjes së xhepit të qytetarëve bie. Shpresoj t’i kenë bërë mirë llogaritë.

Xhokaxhi: Kur merren vendime të tilla, a duhet që qeveria të bëjë llogari të dyfishtë edhe për buxhetin edhe për impaktin tek qytetarët?

Shkodra: Çdo politikë publike duhet të ketë një analizë të impaktit se si bëhet, ekonomik, social. Si qëndrojnë në bilanc qeveria duhet të ishte më transparente, të thoshte që me këto para do të kemi më shumë buxhet për ruajtjen e harmonisë familjare. Qeveria duhet të ishte më transparente që në këto 2 miliardë lekë duhet të ishin për zbutjen e krizës së qytetarëve.

Xhokaxhi: Taksa për prodhuesit, jemi në krizë energjetike?

Shkodra: Kemi prodhuesit e vegjël që po e shesin me një kontratë shumë më të vogël. Në lidhje me prodhuesit e mëdhenj të energjisë që shesin në bursë, kanë një fitim shumë të madh.

Xhokaxhi: Sa prodhues të mëdhenj kemi?

Shkodra: Kemi prodhues të huaj që janë strategjike, që tani do tatohen me një normë fitimi, në kushte të jashtëzakonshme duhen masa të jashtëzakonshëm. Këtu duket diferenca nëse prodhuesit e vegjël do shisnin me çmimin e bursës dhe ata do të ishin shumë të lumtur. Padyshim që prodhuesit e mëdhenj paguajnë më shumë taksa, por sërish taksa 33% nuk është normale.