Dalin pamje të tjera nga vdekja e Lear Kurtit dhe se çfarë ishte duke bërë para se të ndalohej nga forcat e Policisë së Shtetit. Siç duket edhe nga videoja e publikuar nga emisioni “Review”, Policia ka qenë duke patrulluar në rrugë, ndërkohë më pas shfaqet i riu Lear Kurti, i cili po kalonte në rrugë me telefon në dorë, që siç duket po fliste me dikë. Pikërisht këtu lind kontradita e parë me njoftimin e Policisë pas ngjarjes. Kjo sepse u raportua që i riu ishte duke qëndruar para një biznesi në mënyrë të dyshimtë, kur në fakt ka qenë duke folur me celular me dikë dhe krejt i qetë.

Më pas, fushëpamja e kamerave të sigurisë ikën për pak dhe më pas shihet momenti kur dy policë njëri pas tjetrin fillojnë e ndjekin me vrap 32-vjeçarin. Ata e kanë ndjekur për 200 metra, deri në momentin që e kanë neutralizuar në rrugën e ‘Don Boskos’. Ndërkohë del edhe momenti tjetër, ai kur Policia ka neutralizuar Kurtin, ku ky i fundit duket pa ndjenja dhe i shtrirë në tokë. Dy efektivët e ngrenë prej krahëve por ai bie sërish.

32-vjeçari u ndalua në orën 23:07 të mbrëmjes së 19 tetorit nga efektivët, në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë, por ka vrapuar. Siç sqarohet në njoftimin e policisë, i riu është kapur pas ndjekje, është dërguar në komisariat, ku ka shfaqur problemet e para shëndetësore. Fillimisht u aludua se i riu vuante nga epilepsia, më pas, në deklaratën zyrtare u tha se i riu kishte gëlltitur një qese me lëndë narkotike. kontradikta është në faktin që efektivët pretendojnë se ka ndërruar jetë në spital, ndërsa bluzat e bardha të Traumës thonë se Kurti ka mbërritur pa shenja jete në duart e tyre. Paraprakisht, nga hetimet e derimë tanishme, është deklaruar se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune. Por për kryedemokratin Sali Berisha, Kurti u vra nga Policia dhe ngjarja po mundohet që të mbulohet ashtu si rasti i Klodian Rashës, 2 vite më parë, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv policie.