Finalizohet faza e pestë e megaoperacionit “Qarku”, shkon në 26 numri i të arrestuarve në kuadër të tij.

Vihen në pranga 2 shtetas ( babë e bir), autorë të dyshuar të veprimtarive kriminale në fushat e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit.

Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Sekuestrohen 3 pako me lëndë narkotike kanabis, si dhe doza kanabisi, të gatshme për shitje, me peshë totale 1.5 kg. Gjendet dhe sekuestrohet në banesën e të arrestuarve, edhe 1 armë sportive.

Shërbimet e DVP Shkodër, në vijim të veprimeve intensive dhe profesionale policore, në kuadër të megaoperacionit “Qarku”, bazuar në inteligjencën informative se disa shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përpunonin dhe shisnin në doza, lëndë narkotike kanabis, kanë finalizuar fazën e pestë të këtij megaoperacioni që ka rezultuar me arrestimin e shtetasve:

-V. N., 49 vjeç dhe S. N., 25 vjeç (babë e bir), banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.

Gjithashtu, për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi P. A., 31 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasja V. N., 49 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit V. N.).

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit S. N., shërbimet e Policisë i gjetën doza lënde të dyshuar narkotike kanabis, të gatshme për shitje. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e 25-vjeçarit dhe prindërve të tij, shtetasve V. N. dhe V. N., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 3 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 1.5 kg dhe një armë sportive.

Vijon puna për kapjen e shtetasit P. A.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.