Nga Kolindo Vjerdha
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ofruan një pasqyrë të qartë të krizës së opozitës në Shqipëri, jo vetëm në rezultat, por mbi të gjitha në organizim, strategji, besueshmëri publike dhe përfaqësim. Shifrat flasin më shumë se çdo deklaratë politike.
Pjesëmarrja totale në zgjedhje u rrit lehtë nga 1,578,117 në vitin 2021 në 1,607,593 në vitin 2025, një rritje prej vetëm 1.9%. Por nëse shohim pjesëmarrjen brenda territorit të vendit, vërehet një rënie me 170,470 vota. Kjo sugjeron një zhgënjim të thellë dhe një qëndrim të heshtur të shumë qytetarëve që më parë ishin të përfshirë në procesin elektoral ose mund të shërbejë si një tregues shpopullimi.
Partia Demokratike humbi 139,827 vota krahasuar me vitin 2021. Nëse këtë analizë e bëjmë për dyshen PD – LSI (tashmë Partia e Lirisë) të vitit 2021, humbja e bllokut opozitar PD-LSI arrin në 247,365 vota. Kjo është një humbje masive, që tregon se opozita tradicionale ka dështuar të ruajë bazën e vet elektorale dhe të ofrojë një alternativë të besueshme për qeverisjen e vendit.
Ndërkohë, partitë e reja opozitare si NISMA-SHB, BASHKË dhe MUNDËSIA, arritën të grumbullojnë së bashku 137,895 vota, duke tejkaluar votat që LSI mori në 2021 (107,538). Kjo tregon një kërkesë për risi politike, por fragmentarizimi e bëri këtë potencial të papërdorshëm në përballjen me pushtetin.
Ka pasur pretendime publike se nëse opozita do të ishte e bashkuar, rezultati do të kishte qenë ndryshe. Por në fakt, shifrat tregojnë se edhe sikur 9 partitë opozitare të ishin bashkuar, do të kishin siguruar maksimumi 7 mandate më shumë, duke shkuar në 61 mandate për të gjithë kampin opozitar nga 54 që ka aktualisht. Edhe kjo shifër, ndonëse më e mirë se rezultati aktual, mbetet e largët nga 71 mandatet e nevojshme për të ndërtuar shumicën parlamentare. Kjo tregon se problemi i opozitës nuk është vetëm ndarja, por edhe mungesa e përmbajtjes dhe ofertës politike tërheqëse.
Një tjetër e vërtetë që del nga këto zgjedhje është mënyra si u shpërndanë mandatet në lista të mbyllura. Partia e Lirisë, me vetëm 7,981 vota, mori 2 deputetë, dhe PDIU me vetëm 1,991 vota mori 1 deputet në Tiranë. Kjo dëshmon se pazaret politike parazgjedhore dhe sigurimi i vendeve në lista të mbyllura nuk u shoqëruan me punë reale në terren apo kontribut në rritjen e mbështetjes elektorale. Kjo formë përfaqësimi e shkëputur nga vota reale është një nga simptomat e dobësimit të opozitës dhe dëmtimit të besimit qytetar.
Ndërkohë, diferenca mes dy partive kryesore, PS dhe PD, ka rezultuar 326,883 vota. Kjo diferencë është aq e madhe, saqë nëse do të ishte e gjitha produkt i manipulimit, do të thoshte që Partia Socialiste ka “blerë” thuajse të gjithë votuesit e Bashkisë së Tiranës, një pretendim që vështirë se qëndron.
Në zgjedhje ka patur manipulime siç dëshmojnë të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare, por ato nuk janë në përmasat e diferencës mes dy partive të mëdha. Partia Demokratike çdo rast apo dyshim të arsyeshëm duhet ta adresojë në SPAK.
Në çdo palë zgjedhje lexojmë vetëm alibi për humbjen duke mos e drejtuar kurrë gishtin nga vetja. Nëse u vodhën ishin të paaftë të ndërtonin frymë për të mos u shitur njerëzit, ishin të paaftë të organizonin struktura, ishin të paaftë të gjenin figura përfaqësuese.
Në përfundim, zgjedhjet e vitit 2025 nuk treguan thjesht humbjen e opozitës, ato ekspozuan një krizë të thellë të modelit të saj politik. Opozita humbi vota, mandate dhe më e rëndësishmja, besimin për të qenë një alternativë dhe këtë e thonë shifrat.
E vetmja gjë që duhet të bëjë opozita është reflektim dhe reformim. Përndryshe termi “vjedhje” do jetë triumfuses për gjatë.