Zhdukja pa gjurmë e Ervis Martinaj është bërë kryefjalë e mediave teksa policia nuk ka dalë ende me një version zyrtar.

Së fundmi gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se Martinaj është parë mes datave 5-7 gusht në Tiranë dhe më pas është zhdukur.

Sipas gazetarit njoftohet gjithashtu se për herë të fundit, Ervis Martinaj është parë të lëvizë me një makinë tip Audi A8 ngjyrë e zezë. Siç duket edhe nga pamjet e publikuara më herët në rrjetet sociale në lidhje me një këlysh luani që ai mbante në ambientet e hotelit të tij, në sfond është një makinë Audi A8, me të njëjtën ngjyrë me atë me të cilën u pa të lëvizte për herë të fundit Ervis Martinaj.

Nga ana tjetër përmendim se policia nuk ka një version zyrtar në lidhje me çfarë ka ndodhur me të, megjithatë në media deri më tani kanë dalë dy versione kryesore.

Një pjesë e gazetarëve të kronikës raportojnë duke iu referuar një videoje që ata thonë se e kanë parë, se Ervis Martinaj është kapur nga kundërshtarët e tij dhe është ekzekutuar.

Ndërkohë, versioni tjetër lidhet me një skenar në lidhje me zhdukjen e tij me qëllim shmangien nga policia e cila e kishte shpallur në kërkim, por edhe prej kundërshtarëve pas vrasjeve të fundit në rrethin e tij shoqëror.