Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka hedhur poshtë akuzat se qeveria po zhvendos votuesit e opozitës nga QV pa dijeninë e tyre, pak para zgjedhjeve të 25 prillit. Në një dalje për mediat, ministri tha se një gjë e tillë është jo e vërtetë, por mbi të gjitha edhe pamundur që të bëhet.

Lleshaj shtoi se lista e zgjedhësve do të publikohet në datën 5 tetor që do e faktoj se akuza të tilla janë krejtësisht të pabaza , teksa vuri theksin se qytetarët do të vazhdojnë të votojnë në qendrat përkatëse ku kanë votuar herën e fundit.

“Nuk ka asnjë lloj ndryshimi të qendrave të votimit për qytetarët. Asnjë! Dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim arbitrar të qendrave të votimit. Në bazë të detyrimeve të Kodit Zgjedhor, ekstrakti i parë i listës së zgjedhësve do të publikohet pas disa ditësh, saktësisht më datën 5 tetor 2020, dhe të gjithë do kenë mundësinë tëverifikojnë këtë të vërtetë të thjeshtë” tha Lleshaj.

Ndër të tjera, ministri bëri me dije se po përgatitet një paketë e re ligjore, që do e kushtëzojnë të gjitha shërbimet publike me pajisjen e një adrese të saktë. Megjithatë, është kujdesur të theksojë sërish se kj nuk prek qendrën e votimit të qytetarëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

“Duhet thënë se, në të njëjtën kohë, po merren masa për diskutimin e një pakete ligjore që do të konsolidojë përfundimisht sistemin e adresave dhe do të pamundësojë lëvizjen kaotike të qytetarëve. Elementi kyç i këtyre ndryshimeve është kushtëzimi i të gjithë shërbimeve publike dhe jo publike me pasjen e një adrese të saktë për qytetar. Çdo qytetar do të ketë adresën e tij të standardizuar sipas ligjit dhe do të marrë shërbimet vetëm në bazë të adresës së regjistruar. Megjithatë dëshiroj të ritheksoj me forcë:Procesi i përditësimit apo saktësimit të adresave NUK prek qendrën e votimit të qytetarëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Qytetarët do të vijojnë të votojnë në qendrat e tyre të mëparshme” tha Lleshaj.