Qeveria me anë të disa vendimeve, vendosi lirimin e masave duke nënkuptuar se lufta me COVID-19 ishte drejt fundit. Por duket se fundi ka arritur me kohë, qytetarët janë inatosur, opozita është e nevrikosur, e askush nuk mendon më për koronavirusin para pamundësisë për të jetuar të lirë e në liri. Por ka nga ata që lirinë e kanë pasur gjithmonë. VIp e këtij kombi të vogël që ka më shumë të famshëm se banorë, dhe eksponentët e maxhorancës, skanë ndaluar asnjë ditë aktivitetin e tyre.

Tek liria fillon dhe pabarazia

Ditët e fundit Tirana është përfshirë nga disa protesta, e opozita është zgjuar sërish e ka nisur takimet me popullin. Por ky zgjim i qytetarëve e opozitës nuk i ka pëvlqyer aspak qeverisë, e cila kërkon të vijojë karantimin. Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe shumë zyrtarë të tjerë të opozitës, janë gjobitur e u është marrë dhe patenta sepse kanë protestuar tek sheshi i Teatrit Kombëtar kundër shembjes sa godinës ekzistuese. Bashkë me ta, gjoba të majme kanë marrë dhe qytetarë të thjeshtë, aktivistë të njohur e artista të vlerësuar nga koha. Arsyeja e njëjtë: kanë protestuar.

Por një javë më parë, të gjithë pamë se qeveria për ata që ngrenë zërin nuk ka vetëm gjoba, por dhe dhunë. Mes ulërimave e tërhqejve zvarr u prish një protestë paqësore në Ditën e Evropës, por Evropa i mbylli sytë e nuk foli.

E teksa shohim këtë panoramë të zymtë, në Shqipëri është një jetë parale. Të pasurin, të pushtetshmin dhe VIP-in nuk e ndalon askush. Këto shtresa të shoqërisë nuk pyesin për koronavirus, për masa kufizuese, për orar të kufizuar e gjoba trembet ndaj tyre. Presidenti për ditë me radhë nuk la mal pa ngjitur, por Kryeministri e justifikoi e tha se ai ishte për punë. Vetë Kryeministri me një ushtri të tërë inspektoi “veprat madhështore të Rilindjes”, e u justifikua se po punonte.

Deputetët e maxhorancës nuk kanë lënë një fundjavë pa u relaksuar jashtë Tiranës, e sërish për ta kjo gjë quhet punë. VIP-at tundën Borshin një javë më parë e Policia nuk i shikonte, sepse droni ishte ngritur pak më tutje në Drimadhes e ndoqi disa fshatarë që provuan plazhin për këtë vit. Por që të mos mjaftonte kjo një personazh (që thonë se është VIP) Françeska Jaçe dje tregonte se ishte lumtur teksa vraponte nga liqeni, e një 15-vjeçar qe kishte dalë me biçikletë në rrugë u dhuna barbarisht nga disa policë.

Ndërkohë takimet e kreut të opozitës me qytetarët për qeverinë dhe Policinë e Shtetit nuk quhen punë, por janë udhëtime relaksuese. Dëgjimi i halleve të vërteta të njerëzve nuk është punë, ndërsa festa e VIP-ave në Borsh është punë me rëndësi. Dalja e qytetarëve në shesh për qeverinë quhet krim dhe për këtë dënimi duhet të jetë sa më i madh. Kushtetuta që duhet të mbrojë qytetarët ka kohë që është shkelur, përdhosur, grisur e tani është bërë si menu restoranti apo bllok shënimi për dyqanet e materialve të ndërtimit. Askush nuk pyet për të, barazia para ligjit është mit në Shqipëri. Barazia para rrezikut të infektimit varet nga pushteti, paratë dhe VIP-llëku që ke. Prandaj shpresa e vetme, siç thonë besimmtarët mbetet tek barazia para Zotit