Nga ora 06:00 e së dielës (nesër) qeveria do të shtrijë “shtetrrethimin” në të gjithë territorin. 6 qarqeve, i shtohen prej së dielës në mëngjes edhe bllokimet e katër akse rrugore kryesore nga veriu në jug, Fier- Vlorë, Vlorë- Lushnje, Shkodër- Lezhë dhe Elbasan- Korçë.

“Nga dita e diel në 06:00 do të ndalohet jo vetëm qarkullimi brenda po edhe në rrugët nacionale që lidhin Vlorën me Fierin, Fierin me Lushnjen dhe Shkodrën me Lezhën, pra perimetri i mbrojtjes do të zgjerohet dhe do të ndalohet qarkullimi mes Elbasanit dhe Korçës.

Në perimetrin e blinduar do të këputen lidhjet mes këtyre qyteteve për autobusët, apo makinat private, do të qarkullojnë vetëm automjetet që hyjnë në kategoritë e lejuara brenda perimetrit Tiranë-Durrës” tha Rama mbrëmjen e djeshme lidhur me urdhrin e ri që futet në fuqi nesër në orën 06:00.

Por cfarë do të bëhet me personat që janë larguar dhe nuk kthehen dot në banesat e tyre? Kush ka lëvizur jashtë vendbanimeve të tyre ka vetëm 8 orë kohë për t’u kthyer deri të hënën në mëngjes, kur do të vihen sërish në fuqi masat kufizuese në të gjithë vendin, pra nga e diela në mesnatë deri në mëngjesin e së hënës në orën 08:00.

“Kush banon në Tiranë-Durrës dhe është larguar për fundjavë të gjatë në Korçë ose gjetkë, të sigurohet të hyjë në perimetrin e blinduar gjatë hapjes së rrugëve hyrëse pas mesnatës të së dielës dhe jo më vonë se ora 08.00 e mëngjesit”, tha Rama më parë.

Ndërkohë që Shqipëria është në karantinë totale, pasi bllokoi edhe kufijtë me fqinjët. Kufiri është bllokuar me Italinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë. Në vend janë mbyllur baret e restorantet në të gjithë vendin, përfshirë palestrat, fast-food, aktivitetet kulturore, nuk lejohen grumbullimet masive të njerëzve, etj.