Gjatë dy viteve të fundit, periudhë e cila përkon me zbatimin dhe veprimit e ligjit të Vetingut, tetë gjyqtarë janë vetëlarguar nga sistemi i drejtësisë për arsye shëndetësore, duke evituar kësisoj përballjen me Vetingun, ndërsa dy të tjerë janë ‘sëmurë’ gjatë procesit të njohjes me rezultatet e kontrollit të tyre për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Referuar depozitimit të kërkesave të dorëheqjes pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, subjektet që kanë dhënë dorëheqjen nga drejtësia për arsye shëndetësore janë gjyqtarët e Tiranës Brunilda Kasmi, Metush Saraçi, Agim Bendo dhe Astrit Haxhialushi. Po ashtu janë sëmurë para Vetingut dhe kanë dhënë dorëheqjen gjyqtarët e Durrësit Genci Sinjari dhe Merita Xhani, gjyqtarja e Sarandës Ketra Bajrami si dhe gjyqtari i Apelit Gjirokastër Tomor Skreli, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.

Nga verifikimet rezulton se për gjyqtarët Genci Sinjari, Merita Xhani dhe Metush Saraçi, në kohën kur kanë dhënë dorëheqjen, nuk kishte nisur procesi i Vetingut. Pesë gjyqtarët e tjerë kanë dhënë dorëheqjen pasi janë përzgjedhur me anë të shortit për tju nënshtruar kontrollit nga Komisioni i Vetingut. Ndërkaq, gjyqtari i Apelit në Durrës Arben Vrioni, pasi ishte njohur me rezultatet e hetimit dhe ishte thirrur në seancë dëgjimore, ka pretenduar se ishte në kushtet e pamundësisë për të vazhduar seancën dëgjimore për arsye shëndetësore.

Ai ka pohuar se kishte kaluar një infarkt dhe se mjekët i kishin rekomanduar të mos kishte shqetësime gjatë kësaj kohe. Gjyqtari u shkarkua nga detyra. Edhe ish-gjyqtari në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, Artur Malaj, gjatë procesit ndaj tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelit, ka paraqitur një raport mjekësor. Malaj ishte konfirmuar në detyrë nga KPK, por u shkarkua përfundimisht nga Kolegji i Apelimit.

Rreth 30 gjyqtarë kanë dhënë dorëheqjen për arsye të ndryshme pas veprimit të ligjit të Vetingut. Disa prej tyre e kanë motivuar dorëheqjen për shkak të angazhimeve në pozicione jashtë sistemit të drejtësisë, disa për tu bërë avokatë dhe disa për arsye shëndetësore. Nga verifikimet rezulton se gjyqtarët kanë dhënë dorëheqjen për të filluar punë nëpër spitale private, kisha, biznese etj.

Ndërkaq, Ema Gashi ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i gjyqtares në Durrës për të mbrojtur nga shkarkimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit motrën e saj, Rovena Gashi, ish-drejtuese e Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, e cilësuar edhe si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i përfshirë në ‘listën’ e zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Rovena Gashi ishte shkarkuar në shkallën e parë të Vetingut për shkak të problemeve me pasurinë. Kolegji nuk e pranoi Ema Gashin si avokate, ndërsa shkarkoi përfundimit Rovena Gashin.