Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike, se në qarkun e Lezhës ka kryebashkiakë me të shkuar kriminale. Në një status në Facebook, me nota ironie dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, Ndreu shkruan se nuk ka asnjë kompleks, pasi është rimandatuar si deputet në vitin 2017 dhe se ata të PD-së, ‘i kanë trutë në prapanicë’.
“Ca në PD-në e mjerë që i kanë trutë në prapanice paskan thënë se po hetojnë në Lezhë për Kryebashkiakun…Po ju bëj me dije se jam rimandatu si deputet në 2017 pas ligjit të dekriminalizimit dhe nuk kam asnjë kompleks nga liliputet që qejfin e tyre nga poshtë e nxjerrin në gojën e pisët…! Mbani shpresë kot së në Lezhe nuk ka shanse..Targën do ju lë si gjithmonë” shkruan Ndreu.
Gazmend Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, paralajmëroi dy ditë më parë se po mbledh prova dhe heton për tre kryebashkiakë, që sipas tyre kanë të shkuar kriminale dhe kanë gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Sipas Bardhit, këta kryebashkiakë janë të qarkut Lezhë e Dibër.