Në dy burgje të vendit te 313-ta në Tiranë dhe në Peqin është aplikuar sistemi ’41-bis’ rregullat e izolimit për ‘kokat’ e krimit të organizuar. Më poshtë ju sjellim fotot e masave të rrepta nga burgu 313-të në Tiranë. Të rrethuar nga kamerat e sigurisë, teli me gjemba dhe policët e pajisur me kallashnikovë, dhomat e izolimit janë gati për të pritur kokat e krimit që do të thyejnë rregullat e vendosura. Pak ditë më parë u kërcënua me jetë drejtori i përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili, ndërsa mesazhi dyshohet se i erdhi pikërisht nga kjo kategori, që e pësoi nga sistemi ’41 bis’

Të burgosurve dhe të paraburgosurve që do të izolohen u lejohet vetëm një takim familjar në muaj, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera, ndërsa bisedat i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video. Gjithashtu të burgosurit që do të konsiderohen të rrezikshëm dhe që dyshohet se vijojnë kontaktet me botën e krimit jashtë, do t’u lejohet vetëm një bisedë telefonike në muaj, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta.

Atyre do tu ndalohet përdorimi i vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund ti marrin nga jashtë. Do tu kontrollohet korrespondenca si dhe do reduktohet qëndrimi në ajrim në mjedise të hapura, deri në 2 orë, por jo më pak se 1 orë në ditë. Kohëzgjatja e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë është një vit.

Kundër vendimit të Ministrit të Drejtësisë, për vendosjen apo zgjatjen e regjimit të posaçëm, i dënuari, i paraburgosuri apo avokati mbrojtës mund të paraqesin kërkesë ankimore brenda 20 ditëve, nga momenti i njoftimit të vendimit.