Udhëtarët po preferojnë gjithnjë e më shumë hotelet me akomodimet në ferma, pasi kërkojnë hapësira më intime ku shërbehen prodhime vendase dhe ku mundësohen një sërë aktivitetesh.

Qëndrimet e fermave në Evropë u bënë të njohura në vitet shtatëdhjetë, veçanërisht në Spanjë dhe Itali, por një numër gjithnjë e më i madh i tyre po shfaqet në Greqi dhe Shqipëri.

Revista britanike e udhëtimeve “RoadBook” ka listuar qendrat më të mira të agroturizmit në Evropë në të cilën është përfshirë edhe ‘Mrizi i Zanave’ në Lezhë.

Kjo fermë familjare është vendosur në fshatin Fishtë në veri të Shqipërisë.

Shtëpia e fermës origjinale është rinovuar me dhoma me mure xhami që shfaqin pamje gjithëpërfshirëse baritore, ndërsa patat mblidhen në ullishtat e mbuluara nga dielli dhe punëtorët me veshje tradicionale shqiptare mbledhin prodhime të freskëta në fusha thuhet në artikull.

Restoranti i famshëm, i cili është mjaft i preferuar nga vendasit, nuk ka menu dhe vaktet bazohen në atë që ofrohet atë ditë.

Një vakt i plotë me ushqime organike shqiptare si peshq të egër, pulë të pjekur në hell, domate turshi dhe djathëra të bëra vetë vijnë në një çmim prej më pak se 45 Euro. Me përmirësimin e kushteve akomoduese ndër vite, por edhe ofrimin e çmimeve tejet konkurruese duket se Mrizi i Zanave e ka gjetur çelësin e suksesit për tërheqjen e turistëve dhe promovimin e vendit tonë edhe jashtë kufijve.

Agroturizmi ndihmon edhe në uljen e varfërisë në zonat rurale duke i lejuar fermerët dhe punëtorët e bujqësisë të diversifikojnë biznesin e tyre. Tregu global i agroturizmit pritet të rritet në 60.89 miliardë Dollarë këtë vit ndërsa deri në vitin 2028 pritet që kjo shifër të shkojë në 79.9 miliardë Dollarë.

Klan News