Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë ditën e sotme vendimin në lidhje me gjyqtarin e Shkodrës Tonin Stërkaj, të cilit iu vendos ditën e djeshme tritol në banesë. Mësohet se KLGJ mori në mbrojtje gjyqtarin Sterkaj për gjashtë muaj. Ndërkohë Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit kanë vendosur të marrin në ruajtje banesën e gjyqtarit.

Nga kjo ngjarje u raportua se shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Ndërkohë policia e Shkodrës ka shoqëruar deri tani 3 persona, por ende nuk ka asnjë person të dyshuar. Në momentin e shpërthimit në banesë ka qenë gjyqtari dhe bashkëshortja e tij. Pista kryesore e hetimeve lidhet me detyrën e Tonin Sterkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera. Aktualisht dera e banesës së gjyqtarit ruhet nga punonjës të Gardës dhe të Policisë së Shtetit.

Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër ndërsa për një periudhë 2-vjeçare ka punuar edhe si gjyqtar në gjykatën e Apelit të Shkodrës. Pas mbylljes së Apelit, Sterkaj u kthye si gjyqtar në Gjykatën e Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.