Një 45-vjeçar është arrestuar nga policia pasi akuzohet se shiste armë zjarri në mënyrë të paligjshme. Në pranga ka rënë shtetasi Kreshnik Burrja, pasi është kapur në Rinas me armë zjarri me qëllim shitjen e tyre.

Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur armë zjarri, municion luftarak dhe kokainë.

“U kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi Kreshnik Burrja, 45 vjeç, banues në Shkodër.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 45-vjeçarit, 2 armë zjarri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me DVP Shkodër u ushtrua kontroll në banesën e tij, në Shkodër, dhe gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri shotgan me municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike me ajër, doza kokaine, sasi kanabisi, fara të dyshuara narkotike kanabis, përforcues grushti dhe mjete prerëse thika.

Nga verifikimet e kryera dyshohet se 45-vjeçari i arrestuar i ka siguruar armët e zjarrit, me qëllim shitjen e tyre”,- njofton Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme