Në Urën e Re të Bunës prej kohësh evidentohen problematika të ndryshme si shkak i amortizimit në disa segmente të saj.

Mesa duket mirëmbajtja e kësaj vepre nuk është në nivelet e duhura për t’i shërbyer qytetarëve. Autoriteti Rrugor Shqiptar Rajoni i Veriut, që ka nën juridiksion këtë vepër, nuk jep asnjë sqarim lidhur me gjendjen e urës.Fillimisht në këtë urë u dëmtua mekanizmi i hapjes duke sjellë dëme të mëdha në funksionimin e pajisjeve të ndriçimit, ndërkohë asfalti në një pjesë të urës ka nisur amortizimin.

Përballë kësaj situate deri më sot askush nuk ka ndërhyrë për t’i dhënë zgjidhje kësaj pamje të papërshtatshme, për një investim të tillë, e aq më shumë që është imazhi i parë i mirëseardhjes në qytetin e Shkodrës.Këto gropa sjellin njëkohësisht edhe amortizimin e automjeteve që e përshkojnë atë ku fluksi më i madh regjistrohet në verë, por edhe gjatë festave të fundvitit me rikthimin e emigrantëve në vendlindjen e tyre.

Ndërkohë janë qytetarët dhe shoferët që e vuajnë tmerrin e gropave të hapura mbi këtë urë. Ndërtimi i saj u bë për të zëvëndësuar urën e vjetër, e cila tani nuk funksionon më për automjetet, por vetëm për lëvizjen e qytetarëve.Ura e Bunës ka një rëndësi të madhe, pasi nëpërmjet saj kryhet lidhja tokësore më e shkurtër me Malin e Zi. Njëkohësisht, nëpërmjet saj bëhet lidhja e dy lagjeve turistike të Shirokës dhe të Zogajve me qytetin e Shkodrës.