Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me simpatizantët dhe anëtarët e PD në Shkodër në vazhdim të nismës Opozita në Aksion. Berisha është shprehur se sot ndodhen në një diktaturë, një shtet në të cilin çdo pushtet është përqendruar në dorën e një njeriu. Po ashtu ai ka komentuar dhe lëvizjen e SPAK ditën e djeshme, duke kërkuar nga Kuvendi autorizimin për masën arrest me burg për Berishën. Ai theksoi se mosbindja civile ndaj këtij veprimi do të jetë si vullkan.

“Cili është reagimi? Kaloi në aktin më ekstrem, të padëgjuar ndonjëherë. Ajo që deklaron ai se do reagojë ndaj mosbindjes sonë civile është vetëm përjashtimi 60 ditë, por de facto heqja për 60 ditë e mandatit të deputetit. Ata, Edi Rama shkruan se për dy muaj përjashtim, deputeti nuk mund të ketë asnjë të drejtë për asnjë aktivitet të çfarë do lloji si deputet. Pra, Bardeli do vijë, por nuk mund të takohet me ju, nuk mund të diskutojë me ju. A ka mendje? Nuk kam dëgjuar kurrë. Por një opozitë të tillë, ju garantoj që nesër do e firmoste Kim Jong Un me kënaqësinë më të madhe në Korenë e Veriut. Pra, ku jemi sot? Sot jemi në një diktaturë, një shtet në të cilin çdo pushtet është përqendruar në dorën e një njeriu. Ai mendon se duke vendosur në arrest Sali Berishën, do mund t’ia mbyllë gojën. Gabon, përkundrazi! Zotohem këtu se mosbindja civile, pavarësisht çfarë qëndrimi do mbajë ai, do jetë vullkani që do përmbysë këtë narkodiktaturë njëherë e përgjithmonë. Ky vullkan nuk mund të jetë askund tjetër më i fuqishëm se në Shkodër. Shkodra ka qenë në kohërat më të vështira, epiqendra e qëndresës njerëzore për liri, dinjitet dhe vlera. Kam bindjen më të madhe se qytetarët e Shkodrës, burrat dhe gratë liridashës të këtij qyteti, do ngrihen fuqishëm në mosbindje civile dhe do japin kontributin historik, siç kanë dhënë në diktaturën e parë, në përmbysjen e kësaj diktature,” tha Berisha.