Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me simpatizantët dhe anëtarët e PD në Shkodër në vazhdim të nismës Opozita në Aksion. Berisha me mbështetësit demokratë bëri me dije se qeveria dhe bandat e krimit kanë intimiduar çdo votues që vinte në qendrën e votimit me qëllim deformimin e rezultatit zgjedhor. Po ashtu Berisha ka theksuar edhe njëherë se me kryeministër Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Vij sot në këtë takim, më i veçanti në 32 vite, pas takimit të parë që kemi bërë në sheshin “Isa Boletini’. Por, me ju do flas haptas. Pas 32 vitesh, Shkodra ra në duar të pushtuesve. E them këtë me bindjen më të thellë. Në rast se nuk do qe kjo sot, ju garantoj se ne së bashku sonte do diskutonim për defektet dhe të metat e Sali Berishës në fushatë, të Bardh Spahisë, Greta Bardelit dhe përfaqësuesve të tjerë. Sepse me rezultatin e 14 majit, në mënyrë të padiskutueshme kanë peshën e tyre gabimet, qëndrimet, defektet e këtyre që përmenda dhe të tjerëve që janë vetëkuptuar. Por sot, mesazhi im është tjetër. Mesazhi im është tjetër sepse kam ndjekur çdo ditë, dhe ua them pse, fushatën tuaj. Në një kohë kur të gjitha pollet tregonin se kandidati ynë kuotohej 8 përqind më shumë, 15 përqind më shumë, 3 përqind më shumë, lajmet vinin të sigurta se Edi Rama po bën gjithçka për të përmbysur rezultatin. Dhe ky lajm qarkullonte, dua të jem shumë i hapur me ju, te të gjithë diplomatët e huaj në Tiranë. Dhe unë e ndiqja se çfarë po ndodh dhe ku po ndodh.

Ditën e zgjedhjeve, duke e ditur se bandat do ushtrojnë terror mbi qytetin, kam mbajtur gjatë gjithë ditës lidhje me përfaqësuesit tuaj, kam nisur bashkëpunëtorë të mi nga Tirana në Velipojë. Ditën e zgjedhjeve ne e kemi akt civiliteti, e kemi festival lirie, ne nuk dalim me pushkë, nuk dalim me çifte për t’u përleshur me të tjerët. Ditën e zgjedhjeve, përfaqësuesi im nga Tirana, më raporton se Velipoja është në pushtim të plotë. Se bandat e Pëllumb Gjokës, çdo votues që vinte, ia kapnin kokën ia ofronin te veshi, e shoqëronin dhe kur dilte nga qendra, kur tentonin të filmoheshin, reagonin ndaj tyre.
Të gjitha këto të organizuara nga qeveria. Mos mendoni se ka banditë të guximshëm, banditët bëhen të guximshëm kur kanë pushteti. Nuk ka më frikacakë se ata. Të njëjtën gjë me bandat e tjera. Çfarë ndodhi? Autokolonë! Po pse e them pushtim unë? Sepse na është dashur shumë kohë të marrim videot e autokolonës. Na është dashur shumë kohë që të dilnin njerëz që mund të fotografonin banditët, vrasësit serialë që ishin liruar nga burgjet për të dhuruar qytetin e lirisë, për të dhuruar Shkodrën. E them edhe njëherë, në gjithë bindjen time, e kisha shumë të konsoliduar se me Edi Ramën nuk ka zgjidhje. E kisha dhe vazhdoj të konsoliduar se ne si opozitë kemi problemet tona, por kur një kryeministër vendos të marrë votën me çdo kusht, askush nuk duhet të jetë naiv, askush nuk duhet të jetë iluziv se ai ka të gjitha mjetet për ta realizuar këtë.
Si u vendos sundimi i partisë së krimit në Shkodër?

Ky sundim u vendos së pari duke liruar njerëzit nga burgjet dhe duke aktivizuar të gjitha bandat. Së dyti, u vendos duke hequr nga fleta e votimit, emrin e PD dhe drejtuesit të saj. Së treti, u vendos duke shpërndarë sasi të pakontrolluara parash për të blerë të drejtën e votës dhe për të blerë votën. Së katërti, u vendos duke hequr të drejtën e komisionerëve në gjysmën e qendrave. Së pesti, u vendos duke përdorur patronazhistët dhe aktivistët si polici sekrete terroriste elektorale.
Mund të numëroj një seri faktorësh. Së gjashti, u vendosur duke shpërndarë 683 mijë zarfa me 50 mijë lekë pensionistëve në Shkodër dhe në mbarë vendin. U vendos duke e shpallur Kodin Zgjedhor, ligjin që i jep garanci opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, një kinezëri nga Edi Rama. U vendos duke përdorur levat si partia e Tom Doshit, e cila brenda 2 vitesh, vetëm në sajë të thasëve me para, rritet me 240 përqind. A ishin të reja këto? Jo, për ne ishin lehtësisht të parashikueshme.
Por midis asaj që të bojkotonim zgjedhjet dhe të firmosnim monizmin me dorën tonë dhe të merrnim pjesë në zgjedhje, ne zgjodhëm këtë të dytën. Zgjodhëm të dytën me betimim se do mbrojmë votën e shqiptarëve.

Ka pasur keqkuptime ndoshta, njerëz që kanë menduar se ne nuk do i lejojmë Edi Ramës të bëjë këto që ka bërë. Po kjo është e pamundur, ti nuk e ndalon dot qeverinë të marrë vendim për të shpërndarë 683 mijë zarfa, ti nuk kontrollon dot gjykatat, nuk kontrollon dot KQZ-në. E vetmja gjë që mbetet është bojkoti, por bojkoti nuk ishte opsion. Ama në fund të këtij procesi, ne në mbrojtje të kësaj vote, arritëm të disponojmë dhe të prodhojmë dokumentin më serioz në historinë e vendit për dhunën elektorale. Për grabitjen e zgjedhjeve. Për plaçkitjen e zgjedhjeve. Por një vend që nuk voton nuk mund të jetë kurrë një vend i lirë. Një vend ku grabiten votat, nuk mund të jetë kurrë një vend i lirë. Dhe dëshmia më flagrante e kësaj batërdie elektorale ishte 14 maji në Shkodër,” tha Berisha.