Zbardhen diskutimet brenda mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së, ku për herë të parë është folur për një zgjidhje politike. Gazetari Osman Stafa ka siguruar për BalkanWeb detaje nga diskutimet, ku dy grupimet, ai i Bardhit dhe i Berishës, që janë ulur në tryezë bisedimesh, deri me tani kanë diskutuar vetëm për axhendën parlamentare. Ndërkohë, disa deputetë të kësaj force politike kërkojnë që të merren me zgjidhjen politike të problemit. I pari që mbështeti tezën e zgjidhjes politike ishte deputeti i PD-së, Dashnor Sula. Ky i fundit tha duhet të nisin përgatitjet për zgjedhjet e 2025-ës.

DISKUTIMET

Dashnor Sula: Ne jemi mbledhur disa here në takime të Grupit Parlamentar, por tashmë ka ardhur koha të flasim për zgjidhje politike të Partisë Demokratike, në mënyrë që të jemi gati për zgjedhjet e 2025-ës. Edi Ramës i intereson të jetë kjo situatë në PD. Basha sot ka vulën nga gjykata dhe ne nuk mund të qëndrojmë kështu, pasi do të përsërisim veten, si në 6 mars, apo zgjedhjet e 14 majit. Nëse do të vazhdojmë të presim gjykatën, mund të ndodhë, siç ndodhi, që u dha vendimi 1 muaj para zgjedhjeve dhe humbëm komisionerët, logon, vulën. Sepse de jure, PD është Basha, edhe pse s’ka anëtarësinë me veten, ka një pakicë, ndërkohë që ne vetë duhet të kthehemi në një parti de juro, që të njihemi institucionalisht nga KQZ, parlamenti etj. De facto patjetër që ne jemi Partia Demokratike, jemi shumicë e anëtarësisë, kemi shumicën në Grupin Parlamentar. Unë propozoj, se nuk është fundi i botës, aq me tepër qe kemi anëtarësinë me vete, qe te krijojmë një parti te re, Partine Demokratike të Rithemeluar.

Vetëm kështu mundemi te jemi një alternative serioze dhe te ngjallim besimin tek demokratet.
Sali Berisha: Nuk është vështirë të gjejmë emër apo të bëjmë logo. Problemi është se po i nënshtrohemi një padrejtësie. Një njeri qe nuk ka lënë padrejtësi pa bërë ndaj nesh. Çdo gjë vendoset siç e do Edi Rama. Nuk te le. Çfarë kërkon? Te zgjidhim problemet tona padyshim, por ama te përpiqemi te motivojmë njerëzit për të mbrojt opozitarizmin dhe te drejtat.

Ramadan Lika: Z. Berisha, ju keni 32 vite ne politike, ju keni detyrimin ta zgjidhni ketë situate politike qe ka mbytur PD-ne. Ne kështu siç jemi po luajmë siç kërkon Edi Rama. Nuk mund te vazhdoje kështu. Ne jemi deputete qe mbështesim Gazment Bardhin, ndersa ju, mbështesin Sali Berishën. Duhet qe ju te dy, te uleni koke me koke dhe te gjeni një zgjidhje politike për situatën.

Xhelal Mziu: Jemi kthyer në një strukturë politike ku logo e PD është marrë peng dhe më keq se në kohën e diktaturës çdo ditë përjashtohen kolegë nga PD si rasti i fundit të Gaz Bardhit. Jemi në një presion ndërkombëtar dhe nga zoti Berisha, i shpallur me pa të drejtë ose për shkak të lobimit të Ramës. Sapo vijmë nga një humbje e thellë e 14 majit por e kulmuar dhe nga humbja e Kukësit..
Në këto kushte situata në terren është e papranueshme, u ka ik shpresa, po largohen ose po konvertohen për bukën e gojës. Ndaj në këto kushte duhet një zgjidhje radikale , duhet një organizim deri në bazë, duhet hap rrugë personaliteteve publike brenda dhe jashtë vendit. Duhet të ngujohemi me ditë për të gjetur zgjidhje, sepse në terren nuk ke kë takon..
Rol jo të pakët ka Berisha si person influent për të fjetur zgjidhje që PD dhe opozita të kthehen në një forcë shpresëdhënëse dhe fituese.
Siç thekson dhe Tigri,
Nuk jam unë delja e zezë, por koka e zezë e tufës, pra Rama. Ne duhet të krijojmë strategjinë, gjithëpërfshirjen, duhet të largojmë frikën, duhet të shpalosim platformën e një force politike që jep shpresë për shqiptarët që janë në vend dhe për emigrantët. Në këtë kontekst Berisha duhet të gjej një zgjidhje…Kuptohet dhe PD vetë ka potenciale për të dalë nga ky ngërç ku jemi futur. Nuk mundet të rrojmë duke u qar, por të përballemi…

Edi Paloka: Kërkoj që bashkimin e grupit ta shtrijmë dhe në baze. Te fillojmë bashkërisht takimet me demokratet në bazë dhe qytetarët, sepse jemi shkëputur këto kohë.

Gjekmarkaj: Ne kur kemi vendosur të ulemi në ketë tavolinë përballë njeri-tjetrit e kemi vënë llogari që të përballemi për idetë tona. Unë personalisht marr kostot e mia për idetë e mia, pra mbaj përgjegjësi. Unë mendoj qe mbledhja e pare e përbashkët e opozitës ishte një ngjarje politike qe e rriti entuziazmin tek mbështetësit e PD. Sot është mbledhja e disatë dhe nuk me duket qe efekti i kartolinës është i njëjtë, pra nuk është e njëjta gjendje surprize pozitive. Këto mbledhje po hyjnë në rutine! Po rutina është ushqimi i përditshëm i politikës, por nuk mjafton. Ne po përfshihemi ne ngjarje që pushteti na fut dhe përdorim ligjërimin e kushtëzuar nga ata. Ne përditë na jepet një ngjarje dhe ndjekim atë në një hulli të përcaktuar. Psh, një është përjashtimi i Gaz Bardhit nga “zona e vulës”. Dy është përjashtimi nga kuvendi i 8 deputetëve. Meraku im është se ne nuk po prodhojmë me ngjarjet tona, për ta nxjerrë nga apatia shoqërinë, në raport me ne, pse jo për ta shqetësuar qeverinë me to, ku një herë të vetme t’ja caktojmë ne axhendën asaj ( qeverise). Nuk po ndodh kjo. Kjo tryeze po behet monotone sepse nuk po fermenton politike, nuk merr në diskutim temat qe çojnë drejt zgjidhjes, nuk po përballet me vetveten. Nuk po i bën ende propozimet e duhura Shqipërisë demokratëve dhe shoqërisë.

Ervin Salianji: Është e domosdoshme që ne të ndryshojmë dhe të ribëhemi, rikonceptohemi dhe madje mos kemi asnjë tabu për t’u transformuar. Shoqëria ka nevoje qe ne te ndryshojmë dhe ne duhet t’i përgjigjemi kësaj nevoje, para se të bëjmë diskutimin e protestave dhe reagimeve duhet te ndryshojme. Ndryshimi duhet te ngjallë shpresën e domosdoshme dhe te frymëzojë qytetaret. Ne përpara se te thërrasim protesta, duhet të japim një zgjidhje politike situatës ku jemi. Qe ne proteste, jo disa te jene organizator dhe disa spektator. Personalisht nuk jam dakord me narrativen politike që Rama i vjedh zgjedhjet çfarëdo të bëjmë ne, mendoj se ne e mundim dhe e tejkalojmë Ramën nëse gjejmë zgjidhje politike për situatën ku jemi, dhe zgjerohemi duke u hapur realisht! Ne mundemi ta tejkalojmë Edi Ramën, shoqëria, qytetaret kanë pakënaqësi masive ndaj qeverise, e ndjej këtë ne çdo takim dhe kudo ku eci!
Është përgjegjësia jonë ta mundim duke gjetur zgjidhje jo duke u qarë! Kërkoj që të bëjmë një mbledhje të veçantë për të diskutuar vetëm për ribërjen e opozitës.