Ish-kreu i komunës Shëngjin, Salvador Kaçaj ka rrëfyer me detaje momentin kur 2 persona i kanë dalë në autostradë afër kthesës pa shkuar në Shëngjin dhe i kanë drejtuar armën më 14 Maj. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kaçaj, tregon se në makinë ka qenë me të birin e tij 23 vjeç i cili ishte i ulur në ndjenjësen e parë të makinës, si dhe me shoferin.

Kaçaj vazhdon rrëfimin duke thënë se autorët me maska kanë dalë nga një makinë e bardhë dhe i kanë drejtuar armën përballë mjetit në të cilin ai ndodhej. Më tej, autorët me 2 makina i kanë ndjekur për rreth 2-3 kilometra në autostradë.

“Ka qenë një moment shumë i vështirë. Ishte në ditën e zgjedhjeve, rreth orës 5 pasdite. Pasi unë konsumova një kafe me disa miq në karburant. Djali ka qenë përpara dhe unë kam qenë mbrapa makinës. Djali është 23 vjeç. Makina e bardhë, kanë zbritur me armë e më kanë drejtuar armën. Nuk kanë qëlluar. Kam hapur makinën për të zbritur dhe shoferi më ka bërtitur që të mos dal. Përsëri na ka ndjekur makina rreth 2 km. Ka ndodhur në kthesën pa shkuar në Shëngjin. Në autostradë ka ndodhur kjo. Makinat ishin pa targa. Armët i nxorrën nga makina e bardhë 2 persona, janë me maskë. 2-3 kilometra më kanë ndjekur. Me maska ishin, nuk i kam njohur. Dukeshin se ishin çuna të ri. Makinat ishin pa targa. Kjo është makina e pastaj na kanë ndjekur nga pas. Të gjithë e panë skenën, kishte goxha makina.

Kam qenë i deleguar për zgjedhjet e PD-së. Atë ditë votova në Shëngjin me familjen. Ata mesa duket kanë qenë duke survejuar gjithë kohës. E denoncova rastin në polici, nuk ndodhi asgjë. Ma mori dëshminë policia. Një makinë pa targa në ditën e zgjedhjeve nuk mund të dalë pa targa. Këto kanë qenë të mbështetur nga policia. Policia nuk bëri asnjëlloj veprimi, fare. Vetëm na mori dëshminë, shoferit, djalit tim dhe mua. 5 muaj ka qenë çdo rrugë e bllokuar për t’u siguruar videoja, por më pas e ka siguruar Berisha. Unë kam informacion se policia e ka marrë videon. Nuk kam më asnjë informacion se çfarë ka ndodhur. Nuk kam si t’i gjej se ata kanë qenë të maskuar. E rëndësishme është të dihet se kush ka qenë personi që ju ka dhënë kurajon për të dalë aty,” tha Kaçaj.