Dita Ndërkombëtare e Muzeve do të gjallërojë edhe më shumë rrjetin e tyre në Shkodër përmes një kalendari të pasur aktivitetesh, të programuara nga Bashkia Shkodër. Ato do të zhvillohen përgjatë dy ditëve 17 dhe 18 maj. Në ditën e parë, aktivitetet pritet të nisin në Bibliotekën “Marin Barleti” me një ekspozitë të dorëshkrimeve të vjetra, shoqëruar me workshopin “Detektivët e vegjël”.

Një ditë më vonë, poezia do të jetë kryefjala e “Muzës” që do të mbahet po në Bibliotekën publike të Shkodrës. Ekspozita e partiturave të autorëve shkodranë, dorëshkrime të shoqëruara me një koncert vokal nga kompozitorët e qytetit do të mbyllë serinë e aktiviteteve në “Marin Barleti”.

DRTK Shkodër do të sjellë aktivitete përgjatë gjithë ditës në kalanë “Rozafa”, një nga më të vizituarat në vend. Facepainting, skica, ekspozita dhe gatime tradicionale janë disa nga veprimtaritë që do të zhvillohen në të.

Pjesë e veprimtarive kushtuar Ditës së Muzeve do të jenë edhe Galeria e Arteve, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Teatri “Migjeni”, Muzeu Historik i Shkodrës dhe Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës.

Instalacione, organizimi i punëtorive dhe koncerte me muzikë klasike do të jenë disa nga aktivitetet që do të mbahen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.