Nga Kejsi Muça&Edon Kuqi

TIRANË- Opozita në vend, përveç krisjes së Partisë Demokratike në disa kampe, është ‘tronditur’ së fundmi nga lajme të tjera. Disa ditë më parë, u raportua që koalicioni ‘Bashkë fitojmë’ do të zyrtarizonte divorcin, por vetëm kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e mohoi për “Zëri.ai”. Tjetër “goditje” vjen nga kampi i demokratëve. Në mbledhjen e grupit Parlamentar të PD-së, zhvilluar të martën e 10 tetorit, deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka propozuar që themelohet një parti e re, ose t’i ndryshohet emri Partisë Demokratike, duke u shtuar se nuk mund të mbeten peng i vendimit të Gjykatës. Burime për “Zëri.ai” nga mbledhja kanë bërë me dije se parimisht kryedemokrati Sali Berisha është shprehur kundër por ka lënë të hapur mundësinë e diskutimit në një mbledhje tjetër. Kjo pasi sipas Berishës, në mbledhjen e 10 tetorit ishin mbledhur për të diskutuar lidhur me rezolutën që do të përpilonin për tensionet në Veri të Kosovës.

Megjithatë, burimi i “Zëri.ai” ka theksuar se Berisha ka lënë të hapur diskutimin, duke shtuar se duhet të diskutohet me vëmendje, marrë parasysh sipas tij edhe faktin që gjykatat janë marrë peng nga kryeministri Edi Rama.

Kështu që vendosëm të kontaktonim vetë me deputetët që ishin pjesë e takimit, ose të paktën disa prej tyre.

A janë ata dakord për ndryshimin e emrit të Partisë Demokratike?

Duke marrë shkasë edhe nga intervista që dha deputeti Ervin Salianji, i cili tha se në partinë e re, Berisha duhet të mbajë një post honorifik dhe të lërë drejtimin e PD-së.

Po deputetët e tjerë kanë të njëjtin mendim me të?

Disa prej deputetëve që i janë përgjigjur interesimit të “Zëri.ai” kanë shprehur mendimin e tyre, por u vu re në masë një qasje pranuese ndaj ndryshimit të emrit. Të paktën parimisht…

PRONONCIMET E DEPUTETËVE:

Saimir KORRESHI

Nuk kam marrë pjesë në mbledhje sepse kam thyer krahun. Unë s’jam në dijeni fare. Për ndryshimin e emrit? Jo, unë nuk do të isha dakord. Të rrihnim Lulin, për këtë do isha dakord.

Xhelal MZIU

Është lënë të diskutohet se çfarë mund të bëjmë për të bërë PD ndryshe dhe opozita sot. Midis shumë ideve ka qenë bashkimi i PD, do ishte e pamjaftueshme, duhet të bëjmë një zgjidhja radikale që të dalim jashtë kornizave të konfliktit. Të ftojmë njerëz edhe nga jashtë vendit për t’u bërë pjesë e PD. Unë nuk e shoh si opsion. Duhet të ndikojë për të gjetur një mënyrë opozitarizmi. Nuk është emri ai që të sjell në pushtet. Por fryma që krijojet. Duhet empati, konkurrenca e lirë. Është më gjerë sesa emri.

Bledion NALLBATI

Shqipëria ka nevojë për një forcë politike opozitare që të ngjallë besimin e elektoratit të vetë. Nuk është se emri është tabu që nuk mund të preket, e rëndësishme është që t’u ofrojmë qytetarëve alternativë dhe të gjëjmë konsensus dhe pse jo. Pse jo edhe me ata që mbështetesin zotin Bashën. Edhe me Bashën e Alibeajn vetë. PD dhe opozita kanë nevojë për ata dhe të tjerë që nuk kanë qenë të angazhuar që të angazhohen edhe më shumë për opozitën e vendit.

Dhurata ÇUPI

Ka pasur propozime të tilla në grup, zoti Berisha ka qenë kundër pasi sipas tij nuk mund të jemi një parti që nënshtrohet tek Edi Rama.

Ramadan LIKAJ

Unë kam bindjen e plotë se Berisha duhet të reflektojë. Koha ka ardhur që PD të japë një zgjidhje. Në mbledhje i kam thënë zotit Berisha: Ti ke 32 vite ky është fakti ti jap. Kam propozuar dhe një takim kokë më kokë Bardhi dhe Berisha, Berisha ka pranuar. Ne jemi PD, zgjidhja duhet të vije brenda PD jo të ndryshohet emri

Helidon BUSHATI

Është një ndër opsionet që do të diskutohet. Nuk jam kundër apriori.

Flamur NOKA

Unë vlerësoj çdo koleg dhe respektoj mendimin dhe opinionin e çdo njërit prej tyre. E kuptoj se pengmarrja nga Rama e logos dhe vulës së PD ka bërë që shumë prej nesh të humbin durimin. Por…PD nuk ia falim dot Ramës dhe dy pengjeve apo dy mercenarëve të tij. Në çdo rrethanë e me çdo çmim ajo logo do iu kthehet demokratëve. Ne do bëjmë të pamundurën për këtë gjë. S’ka Sadush apo Dvoran që mund të mohojë vullnetin e 507 mijë demokratëve. PD do ju kthehet demokratëve me çdo cmim. Nuk dorëzohemi. Betejën për këtë do e bëjmë shumëdimesionale, ligjore, politike. Askush që mban peng simbolet e PD nuk do mund të rrijë i qetë derisa ato t’u kthehen demokratëve. PD iu përket vetëm demokratëve. Parti të krijojnë renegatet që i shërbejne regjimit e jo demokratët

Edi PALOKA

Nuk mendoj se është çështje e rendit të ditës kjo. Nëse do diskutohet do jap argumentat e mia se përse nuk duhet e nuk mund të bëhet sot një akt i tillë.

Agron GJEKMARKAJ

Ky është një process, i cili sapo ka filluar. Askush nuk i ka vënë kushte askujt. Tryezat do të vazhdojnë.

Sorina KOTI

Po ka pasur propozime nga z. Salianji dhe z. Sula. Por ky nuk ishte rendi i ditës së djeshme. Dolën si diskutime në fund të mbledhjes. Patjetër që do ketë mbledhje të tjera, për të vendosur hapat e ardhshëm. Gjithsesi, ne si PD jemi në proces gjyqësor. Logo dhe emri i PD janë më të rëndësishme se kushdo. Në çdo hap e kemi bërë për ta ringritur dhe rithemeluar.

Tani pritet që gjithçka të vendoset në një mbledhje të dytë, data e të cilës ende nuk dihet…/Zëri.ai