Krerët e Komuniteteve fetare të Shqipërisë zhvilluan një vizitë në katedralen e Shkodrës pas një ftese të arqipeshkëvit të Shkodrës Angelo Massafra për një takim miqësor. Arqipeshkëvi Massafra u shpreh se politika shqiptare ka shumë për të mësuar nga ky bashkim i komuniteteve fetare për të mos lejuar emigrimin e mëtejshëm.

Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë Bujar Spahiu dhe ipeshkëvi i Tiranës imzot Arjan Dodaj u shprehën se komunitetet fetare janë të bashkuar duke pranuar edhe ndryshimet mes njëri-tjetrit sepse kur Shqipëria është një ngjyrë atëherë vjen zbrazja e vendit.

Një mesazh dhanë edhe përfaqësuesit e ortodoksëve, bektashinjve dhe ungjillorëve duke vënë theksin tek pronat që komunitetet fetare nuk i kanë marrë ende.

Këto takime mes krerëve të komuniteteve fetare do të vijojnë për të dhënë mesazhin e bashkimit dhe harmonisë fetare për popullin shqiptar por edhe për të diskutuar problemet e përbashkëta.