Sali Berisha tani ka nisur justifikimet për humbjen e paprecedentë që shënoi më 14 maj.

Edhe pse kjo është e vështirë të justifikohet, pasi humbja është në shifra të tillë, që nuk mund të shpjegohet me asnjë faktor tjetër, përveçse bojkotit masiv që i bënë atij, pasi mungojnë 250 mijë vota të demokratëve, që nuk dolën të votonin.

Dhe për këtë arsye, tani kanë vënë në përdorim fantazinë. Së fundmi, portali i familjes Berisha shkruan se fitoren e Shkodrës e ka dashur Serbia, dhe si provë për këtë sjellin bisedën e një gazetareje serbe, e cila paska thënë se do të ishte mirë që Rama të fitonte Shkodrën.

“PS fitoi për herë të parë pas 32 vitesh bashkinë e Shkodrës, fitore e cila mbart mjaft dyshime, dyshime të cilat bëhen edhe më të forta nga faktet që po zbardhen ditë pas dite. Kërcënimi i votuesve dhe blerja e votave është vetëm ana e dukshme e manipulimit.

Interesa akoma edhe më të mëdha mendohet se fshihen pas revanshit të Edi Ramës në 14 maj. Eksperti i marketingut digjital, Blerim Gjeladini shkon edhe më tej ku në një postim në rrjetet sociale ngre pyetjen: Pse Shkodra është interes i madh për Serbinë që të fitohet nga Edi Rama.

Ai tregon se ka marrë një telefonatë nga një gazetare serbe e cila i ka thënë se do të ishte bukur që Shkodra të fitohej nga Edi Rama pas gjithë këtyre viteve. Postimin Gjeladini e ka bërë në datën 23 prill 2023, pra kur fushata elektorale kishte nisur zyrtarisht.

Ja çfarë shkruan ai

Para tre ditësh më mori në telefon një numër nga Serbia. Personi në fjalë u prezantua si gazetare e televizionit publik serb dhe tha se numrin tim e kishte marrë nga interneti.

Më pyeti se si po shkojnë zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe nëse kemi matje sipas partive dhe kandidateve. I thashë se kemi matje sipas të dyjave. Gazetarja më pyeti me një interesim të madh për Shkodrën, nëse Edi Rama do ta fitonte atë këtë herë (dhe më tha se do ishte e bukur që pas gjithë këtyre viteve të fitohej Shkodra nga Edi Rama).

Unë, si me shaka, i thashë: “Po të them diçka, por mbaje vetëm për vete: Rama nuk do ta fitojë Shkodrën, por ka shumë gjasa të humbasë edhe qytetet e mëdha të Shqipërisë.” Gazetarja serbe kishte një interesim të madh për Shkodrën.

Zakonisht nuk bëj publike bisedat, por kjo nuk ka lidhje me profesionin, por me kombin tonë.

Shtrohet pyetja: pse Shkodra është interes i madh për Serbinë që të fitohet nga Edi Rama”, shkruan portali i familjes Berisha. Çudi që nuk kanë përmendur edhe Sorosin!/Tema