Abuzimet me pushtetin në Shqipëri nuk janë të rralla, por në qytetin e Pukës kanë kaluar çdo pritshmëri. Banesat sociale, të cilat duhet t’ju shërbejnë të pastrehëve, kanë përfunduar në duart e pushtetarëve dhe kjo vërtetohet më së miri me anë të listave të përfituesve.
I pari i listës është Enea Sulejmani, djali i kryetarit të Këshillit Bashkiak, Enver Sulejmanit. Një tjetër përfitues është Bert Gjetaj, djali i anëtarit të Këshillit Bashkiak, Pashkë Gjetaj. Gjithashtu Gisea Terbuni, vajza e Pranvera Terbunit, listëhartueses, është “shpërblyer” me një hyrje. Por absurditeti më i madh me këto banesa është fakti, që përveçse janë zaptuar nga persona që nuk i meritojnë, kanë filluar të kthehen në biznes.
Piranjat arriti të marrë me qira banesën sociale të Demir Syla, i cili e ofron me çmimin 50 euro, një natë. Në bazë të ligjit nr. 22, të vitit 2018 “Për Strehimin Social” përfituesit nuk mund t’i lëshojnë me qira banesat sociale gjatë kohës së shlyerjes së kredisë, por në mungesë të kontrolleve nga autoritetet përkatëse, Demiri vazhdon ta ushtrojë lirisht biznesin e tij.
Në përballjen që Demiri pati me Piranjat, ai e mohoi që e jep me qira banesen e tij, edhe pse fakti është i dokumentuar.
Lidhur me këtë problem kryebashkiaku Gjon Gjonaj u shpreh se është koincidencë që përfitues janë familjarët e institucionit, ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak, Enver Sulejmani deklaroi se përzgjedhja është bërë nga komisioni, i cili ka evidentuar njerëzit që janë më në nevojë.
Lind pyetja: si është e mundur që në Pukë nuk ka familje të tjera në nevojë dhe që plotësojnë kriteret?
Sa i përket rastit të Demir Syla, ai tha se nuk është në dijeni që ky fenomen ekziston te këto banesa.
Por Demiri nuk është i vetmi. Piranjat zbuloi një tjetër përfituese, që nuk plotëson kriteret.
“Është me shoqëri kjo punë. Këtu jemi të gjithë me rroga, e dy makina. Unë e kam shtëpinë shumë të bukur në fshat”- tha ajo me krenari.
Piranjat i bën thirrje autoriteteve që të ushtrojnë kontrolle dhe të marrin masat e duhura.
Comments are closed.