Artan Lame është shkarkuar nga posti i kreut të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Mësohet se në krye të këtij institucioni, pritet të emërohet, Dallëndyshe Bici e cila ka mbajtur më parë postin e drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Lame u emërua në postin e kreut të Kadastrës që prej marsit të vitit 2019, në drejtim të institucionit që bashkon ALUIZNI-n dhe hipotekën. Ndërkohë ende nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare lidhur me largimin e Lames nga detyra e tij në krye të Kadastrës, duke mos bërë të ditur ende arsyet.

Sipas burimeve prej disa ditësh, Dallëndyshe Bici është larguar nga detyra e saj në krye të IKMT-së. Detyrën e drejtoreshës së IKMT-së, Bici e mbajti rreth 7 muaj pasi u rikthye në këtë post që e kishte mbajtur edhe në 2021-shin. Emërimi i saj në krye të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës pritet të zyrtarizohet ditën e nesërme.