Më 25 mars, ditë kur edhe do të mbahet mbledhja tjetër e kryesisë, Partia Socialiste do të zyrtarizojë kandidatët për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 14 maj. Kështu bëjnë me dije burime për Report Tv nga mbledhja e kryesisë që u mbajt mëngjesin e sotëm, e cila zgjati për rreth 1 orë, ku ishte i pranishëm edhe kryesocialisti Edi Rama

Duke i konsideruar kundërshtarët si të padenjë, kryesocialisti Edi Rama në fjalën e tij pas përfundimit të mbledhjes, u shpreh i bindur për fitoren në zgjedhjet vendore, ndërsa theksoi se politika e ‘gërr-gërrit’ është një politikë që duhet t’ja lëmë të shkuarës. Për kryeministrin Edi Rama, prioritet janë qytetarët dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi me to.

Mendoj që do fitojmë shumë bindshëm, por për hir të së vërtetës dua të jem i drejtpërdrejtë me ju, fitorja kur ke përballë kundërshtarë të tillë në aspektin aritmetike është minimumi. Duhet të shkojmë përtej fitores aritmetike, të hysh në fushë me kundërshtarë që nuk janë në lartësinë e duhur dhe janë edhe të padenjë për të qenë në fushë, nuk është e vështirë. Çështja është të shkosh përtej, shifrave. Nuk ka fitore që fitohet lehtë, por gjërat nuk janë aq të vështira, por kur duhet të merresh me paga, me investime me ecurinë e shumë gjerave të tjera. Kjo është sfida me të cilat duhet të përqendrohemi. Politikën e ‘Gërr- Gërrit’ duhet tja lëmë të shkuarës.’- tha Rama.