Të paktën 380 persona kanë kaluar sot Kanalin Anglez me 10 varka të vogla, në ditën më të ngarkuar të kalimeve të paligjshme të emigrantëve deri më tani këtë vit. GB News shkruan se varkat janë nisur këtë mëngjes, pasi moti është zbutur, por nuk kanë arritur ende në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.

Moti i keq i vazhdueshëm ka penguar kryesisht anijet e vogla të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm në numër të konsiderueshëm për më shumë se një muaj. Shumica e anijeve u nisën nga një zonë rreth Gravelines, afër Dunkirk. Mbërritja e rreth 300 personave me 8 varka të vogla deri më tani sot e çon numrin total të atyre që kanë kaluar që nga Viti i Ri në rreth 450.

Vitin e kaluar, një numër rekord prej 45,756 emigrantësh kaluan Kanalin Anglez, mes tyre dhe 10 mijë shqiptarë. Vitin e kaluar, zyrtarët kishin menduar se numri i emigrantëve të paligjshëm do të shkonte në 60,000, por moti i keq në dy muajt e fundit të vitit e mbajti peng këtë skenar.

Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi.

Gjuha e Braverman është krahasuar me atë të nazistëve. Një e mbijetuar e Holokaustit rrëfeu për Sky News se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat ‘tufë’ dhe ‘pushtim’, i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve.