“Duam të arrijmë suksesin e femrave”, Xhaferi zbulon merkaton: Balaj iku djalë dhe erdhi burrë

Alban Xhaferi ishte i ftuar përmes një lidhjeje paralele me emisionin “Ora Sport” në RTV Ora.

Presidenti i Vllaznisë ka folur për garën për titull, arritjen e marrëveshjes me Balajn dhe dëshirën e madhe për të arritur suksesin e ekipit të femrave, pra mbërritjen në grupet e Champions-it.

Xhaferi gjithashtu ka konfrimuar se merkatoja ende nuk është mbyllur, pasi ka pasur interesa nga klubet e tjera për lojtarët e rinj, ndër të cilët edhe për Alivodën.

“Sigurisht që ka entuziasëm. Fillimi i vitit me fitore ndaj Partizanit dhe kjo ndaj Lavit i ka dhënë një dimension tjetër ekipit për objektivat që kemi caktuar. Duhet ta mbajmë këtë entuziasëm, por pa kaluar në eufori. Duhet të vlerësojmë çdo ndeshje me seriozitet. Gara do të jetë deri në fund, do të jetë e fortë dhe e egër. Balaj është një lojtar me emër. Ka qenë një negociatë e vështirë, por ai në fund vendosi me zemër. Edhe ana financiare ka ndikuar. Kemi bërë një goditje me sforco, por kemi bërë një goditje të zgjuar. Vitet e fundit kemi pasur probleme në repartin e sulmit. Shpresojmë që Bekimi me përvojën që ka, me emrin që ka do të ndikojë edhe te futbollistët e tjerë.

Merkatoja nuk është mbyllur akoma, sepse kemi merkato dalëse. Kemi pasur oferta për disa lojtarë të rinj. Kemi pasur oferta për Alivodën për shembull. Ka pasur oferta nga disa klube. Ne preferojmë t’i dërgojmë lojtarët në skuadra që kanë emër. Vllaznia, që kur kam ardhur, i kam shprehur objektivat e mia. Vllaznia duhet të luajë gjithmonë për trofe, sepse kanë vite që i kanë munguar trofetë. Ne duam t’i bashkangjitemi suksesit të femrave të Vllaznisë. Duam që në të ardhmen të jemi edhe ne në grupet e Champions-it. Balaj do të jetë një model i mirë edhe për akademinë. Tifozët kanë gjetur një slogan të bukur: “Ike fëmijë dhe erdhe burrë”.