Zmijani tregon për Al Nassr, ish-mbrojtësi i kombëtares ka qenë pjesë e klubit saudit

Klubi saudit i Al Nassr ka tërhequr vëmendjen e futbolldashësve pas transferimit të yllit të futbollit Cristiano Ronaldo.

Por emri i këtij ekipi është përmendur edhe në vitet 90’, kur pjesë e tij u bë mbrojtësi shqiptar Hysen Zmijani.

Shkodrani firmosi në vitin 1993 me sauditët dhe luajti për dy sezone, ku festoi fitimin e titullit kampion në vend për dy vite.

59-vjeçari tregoi për Klan Neës, për eksperiencën e suksesshme në Arabinë Saudite.

“Është një eksperiencë e bukur dhe mos them që është realizuar pothuajse 100%, se për vetë faktin kam pasur 2 vite kontratë dhe dy vite kampion atje, ishte një gjë fantastike. E kam trajnerin që shkoi në Arabinë Saudite dhe ai më tërhoqi mua, kjo ishte lidhja që unë shkova në Arabinë Saudite sepse nuk e njihnim”, ka thënë Hysen Zmijani.

Ish-lojtari i kombëtares kujton se si arriti të përshtatej me jetesën në vendin arab.

“Kur shkova atje ishte e kundërta e korsisë, sidomos nga jeta sepse ishte pak e mbyllur, nga gjinia femërore ishin të mbuluara femrat, kurse tani është ndryshe”, ka thënë Hysen Zmijani.

Ndërkohë ai komenton edhe kalimin e Cristiano Ronaldos në skuadrën saudite.

“Ronaldo si nivel nuk është i njëjti për vetë faktin ku ka luajtur Ronaldo dhe kush është Ronaldo, është diçka absurde për të thënë shumë mirë ka bërë, por për egon e tij për të qenë përsëri lider, jo më tek futbolli por tek paraja, unë jam uniku, më i paguari në botë”, ka thënë Zmijani.

Zmijani shprehet se ende ruan marrëdhënie me Al Nasr, pavarësisht se kanë kaluar mbi 25 vite që ai ishte pjesë e klubit.

Klan News