Shtohen të sëmurët me grip e Covid, Brataj: Po bëhet më agresiv! Mos vraponi tek doktori që në ditët e para, por mbani maska

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos vrapojnë drejt spitaleve në 2-3 ditët e para që ndihen të sëmurë, por të marrin mjekim simptomatik. Në një prononcim për Report TV, Brataj tha se pacientët duhet të kërkojnë ndihmën e mjekëve në rast se kanë vështirësi në frymëmarrje dhe kolla pasohet me sekrecione. Po ashtu u shpreh se gripi sezonal është kthyer fuqishëm, pasi më herët nuk ishte kaq dominant. Ai sugjeroi dhe mbajtjen e maskave për tu mbrojtur nga infektimet e Covid-19 dhe jo vetëm. Kreu i Urgjencës Kombëtare shtoi se situata po menaxhohet nëpër spitale pasi ishin marrë masa për të përballuar fluksin prej festave të fundvitit.

“Është më agresiv se ka 3 vite që nuk paraqitet. Në bazë të logjikës, njerëzit janë këshilluar që të kenë kujdes se dhe këtë vit gripi do të jetë më agresiv dhe gjen terren me dobësimin e Sars Cov 2. Simptomat janë temperaturat e larta, dhimbja e fytit, kolla e thatë, lodhja ose këputja që zgjat 2-3 ditët e para. Kjo është normale dhe nuk duhet të shqetësohemi edhe të vrapojmë te mjeku. Nëse ka vështirësi në frymëmarrje, kolla bëhet me sekrecione, duhet shkuar te mjeku. Covid nuk është larguar asnjëherë por s’mund të themi që është shtim i variantit të koronavirusit por rritje e gjendjeve respiratore edhe si rezultat i ardhjes së gripit. Nuk është paraqitur thuajse 2-3 vitet e fundit si rezultat i dominimit të Covid. Jemi në një situatë normale të këtij sezoni që i përket gripit. Mbajtja e maskës thuajse eliminoi gripin. Fëmijët janë më të pambrojturit se janë të pavaksinuar dhe kanë mekanizmat përgjegjës mbrojtës që nuk janë si tek i rrituri. Ndaj prindërit duhet të mbajnë maska. Ditën e parë dhe të dytë mos vraponi te spitali se gjendja mund të përkeqësohet. Festat e fundvitit janë të tilla ndaj ishin marrë masat paraprake. Në 3 ditët e para të këtij viti janë gati 5800 thirrje dhe gati 1900 vizita. Pati edhe aksidenteve rrugore sidomos ato me makina, biçikleta e këmbësorë që ishin rreth 34 në ditët e fundit. Për fatin e kaq pati edhe me pasoja vdekje”, tha Brataj.

Ditët e para të vitit 2023 ka patur fluks të pacientëve në spitale pasi qytetarët janë prekur nga virozat e stinës dhe gripi sezonal. Ndërkohë që qytetarët janë në panic, pasi nga 7 dhjetori, Kina është përballur me një valë të re infektimesh, për shkak të përhapjes së variantit të ri të Covid-19, Gryphon. Për rrjedhojë shumë vende kanë marrë masa. Vetë Kina thotë se kufizimet e disa vendeve për hyrjen e udhëtarëve nga Kina nuk kanë bazë shkencore dhe se janë masa të tepruara janë të papranueshme.