Me lot në sy e flamurin kuqeblu mbi arkivol, Edmond Spatari, tifozi i veçantë i Vllaznisë u përcoll për në banesën e fundit. Mondi siç e njohin mbarë tifozëria, u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 54. vjeçare pas një sëmundje që e mundoi prej kohësh. Familjarë, të afërm, miq, tifozë i dhanë lamtumirën e fundit. Ish Presidenti i Vllaznisë Valter Fushaj e kujton si një tifoz që dha shpirtin në stadium.

Miqtë e Mondit, tifozët që ishin pranë tij për vite e vite me radhë ndjejnë keqardhje për ndarjen nga jeta para kohe të tij.Historitë me Mondin janë të pafunde në stadiumet e Shqipërisë duke ndjekur Vllazninë.

Star Plus i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve dhe miqve të Mondit, tifozët të përjetshëm i cili edhe i sëmurë në ditët e fundit të jetës nuk mungoi në stadium sepse Vllaznia ishte e gjithë jeta e tij!