Një paralajmërim ka ndodhur në momentin kur po zhvillohej operacioni i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të forcave speciale RENEA në shtëpinë e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, në Fushë Kuqe ku u përball edhe më sulmin verbal të banorëve të zonës. Në një lidhje live për “Euronews”, ai tregoi se Policia e Shtetit nuk kishte ndërhyrë në asnjë moment për të qetësuar situatën, duke i lënë si zgjidhje të vetme largimin prej vendit kur po kontrollohej banesa, duke e kufizuar edhe në kryerjen e detyrës.

Po ashtu, ndër të tjera në fjalën e tij, gazetari Teodor Gjerga tregoi se përpara se të hynte në Fushë-Kuqe, një zonë që nuk depërtohej as nga mediat e zonës, as nga policia për shkak të dominimit nga bandat kriminale ishte përballur me disa efektivë të RENEA-s, njëri nga të cilët e kishte paralajmëruar duke e pyetur: E di se ku po shkon?!

“Deri sot asnjë gazetar i Lezhës nuk kishte mundur të depërtonte në Fushë Kuqe, një zonë që nuk depërtohej as nga policia. Kam pasur edhe telefonata të njerëzve që më kanë pyetur a je mirë, për shkak të rrezikshmërisë në atë zonë ku beteja e policisë me krimin është e humbur. Një nga efektivët e RENEA-s në momentin që po futesha në zonë më tha: ‘E di se ku po shkon’. S’e identifikova dot se ishin të maskuar. Kjo fjali më mbeti në mendje: ‘E di ku po drejtohesh’, dhe më ktheu shpinën,”- tregoi gazetari.

Po çfarë ndodhi dje në banesën e Ervis Martinajt?

Teksa gazetari filmonte jashtë banesës së Martinajt, ku në një moment banori i zonës i ka thënë: Ç’po kërkon të filmosh aty, kush të ka mbetur aty baba jot? Ik ore thyej qafën, na e keni sjelllë në majë të hundës. Bastarda! Të *** Edi Ramën në ****.

Nga kamera nuk kapet për momentin personi që i sulet gazetarit, por vetë ai ka bërë me dije se nuk bëhet fjalë për asnjë familjar të të shumëkërkuarit Martinaj, por për banorët e zonës në Fushë Kuqe.