Jo pak herë Gazetasi.al ka raportuar për fenomenin e kthimit të serave dhe ish tuneleve ushtarake në vendet ku kultivohet drogë. Goditja e një baze të tillë në Berat tregon se gradualisht trafikantët janë zhvendosur nga mbjellja e bimës narkotike në male dhe toka shtetërore në ambjente të mbyllura si apartamente, magazine dhe sera.

Një strategji e tillë për bimën narkotike nga njëra anë dhe për kokainën që e ka kthyer portin e Durrësit në një kanal të sigurtë për narkotrafikantët, tregon se ende lufta ndaj drogës mbetet sfiduese. Por njëherazi trafikantët kanë shpikur metoda të tjera të nxjerrjes së prodhimit jashtë Shqipërisë.

Duke shmangur telefonatat që mos të bien në përgjime, përherë e më shumë kufiri i gjelbër me Greqinë po shfrytëzohet për transport droge në krahë, ku të rinj të papunë u ofrohen pagesa që të udhëtojnë për orë të tëra në këmbë maleve.

Ky udhëtim droge kryhet midis Korçës, Gjirokastrës dhe Sarandës. Transportuesit janë burra të papunë që nuk e refuzojnë ofertën dhe madje e kanë ngritur çmimin. Tanimë ata kërkojnë pagesa që variojnë nga 500 euro deri në 1 mijë euro për çdo udhëtim maleve. Gazetasi.al po sjell dosjen e dy transportuesve të cilët për dy vjet punuan punëtorë krahu duke udhëtuar natën shtigjeve të ngarkuar me hashash.

Ditën, katër persona me inicialet K.L , B.S, B. K dhe I.C po përgatiteshin për të trafikuar 70 kilogramë hashash përmes zonave malore të Braçan dhe Kurilë Korçë. Destinacioni ishte Greqia.

Në dosje policia shkruan: Në këtë ditë rreth orës 16:45, policia gjyqësore ka konstatuar në rrugën kombëtare Bilisht-Miras, tek varrezat në hyrje të fshatit Miras, me drejtim lëvizje për në fshatin Miras, automjetin me targa AA .. TB dhe ka kryer ndalimin e këtij automjeti. Pas ndalimit është konstatuar se, automjeti drejtohej nga shtetasi K. S. dhe pas kontrollit të mjetit, në sediljen e pasme, është gjetur një çantë e zezë dhe në bagazhin e mjetit, dy çanta të zeza, ku pasi janë hapur janë konstatuar 65 pako, të formave dhe përmasave të ndryshme, të mbështjella me qese plasmasi trasparente celefoni, brënda të cilave, gjendet një sasi lëndë e dyshuar narkotike e llojit ‘cannabis sativa’, që ka një peshë të përgjithshme me gjithë ambalazh prej 69 kg e 86.8 gr.

Policia gjyqësore, rreth 300 metra larg nga vendi ku ishte ndaluar ky shtetas, në hyrje të fshatit Miras, ka konstatuar të vetëm në këmbë, duke ecur në drejtim të Varrezave të fshatit, shetasin B.K”, thuhet në dosje.

I treti me inicialet I.C mbas aksionit u arrestua në banesën e tij në fshat Çetë, Devoll. Ky i fundit thotë në fashikull se e njeh K.C dhe B.K , pasi i kam shokë të ngushtë. Nga gjendja e veshtirë ekonomike u detyrova të bëj çfarëdo lloj pune dhe shoqëri pas shoqërie është njohur dhe lidhur me shtetasin K.S i cili më ka thënë se po të donte të bënte trasport lëndësh narkotike nga Mirasi në drejtim të shtetit grek, i siguronte ai sasinë e lëndës narkotike.”

Detyra e të dyshuarit ishte që ta kalonte drogën në tokën greke “mbasi matanë kufirit dilnin persona të tjerë që e prisnin”.

Në dosje konstatohet se punëtori u aktivizua për dy vjet me radhë si transportues.

“Nga kjo gjendje e vështirë ekonomike u shtyva të punoj pasi duhej të nxirrja ndonjë lek. Punën e transprotuesit ka dy vjet që e bëj dhe e kam bërë bashkë me B. K. Të dy merrnim nga një çantë me hashash që na i jepte K.S , po se ku i merrte ai ato nuk di gjë dhe nuk e kam pyetur ndonjëherë”.

Nga zona ku kryhej dorëzimi i hashashit në vendin e quajtur Kurila, transportuesit udhëtonin në këmbë në rolin e “mushkave” dhe ecnin për kilometra të tëra mes maleve.

“Ata e merrnin drogën në krahë dhe e çonin matanë në shtetin grek, nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe pasi i kishim dorëzuar tek personat e tjerë atje, ata ktheheshin më këmbë,”-deklarohet në dosje. Për çdo çantë që ngrinin në krahë, në varësi të peshës transportuesit paguheshin 500-650 euro.

Për drogën që u kap, ata shpjegojnë se sapo të errësohej do dilnin për të takuar trafikantin që po ua sillte hashashin me makinë.

“Do e mernim në krahë, ta dorëzonin tek trafikantët në Greqi nëpërmjet kufirit të gjelbër, në rrugë mali, deri në zonën e quajtur ‘Sjatishtë’, në territorin e shtetit grek, ku i çojnë sa herë, pasi atje vinin e mernin të tjerë persona”,përmend policia .

“Nuk i njoh me emra dhe mbiemra, pasi lidhej shtetasi K. S me ata persona”, sqaron transportuesi./Gazetasi