Një biznesmen në Prrenjas ka rënë pre e një mashtrimi pasi dikush është shtirur si ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe i ka kërkuar 100 mijë euro.

“Përshëndetje. Si kalove si je? Jam Taulant Balla. Më duhen urgjent 100 mijë euro”, ishte mesazhi që i është dërguar biznesmenit

Pasi oficerët kqyrën telefonin e shtetasit Flamur Rrushi, i cili kallëzoi se një numër në viber, që identifikohej si ministri Balla, e ka mashtruar, u zbulua se posedues i kësaj llogarie është shtetasi Florian Gjergji, i cili aktualisht është nën hetim dhe ndaj tij janë dhënë disa masa arresti për të njëjtën skemë mashtruese, sipas Top Channel.

Biznesmeni, sipas kërkesës së mashtruesit, ka ardhur në Tiranë me çantën 100 mijë euro dhe ia ka dorëzuar një taksisti. Në deklaratën e tij në polici, biznesmeni ka treguar se kishte mbajtur shënim targat e taksistit që i ka dorëzuar shumën e parave.

Prokuroria e Elbasanit nga targat identifikoi taksisitin, i cili ka deklaruar se “isha taksist, erdha në Tiranë nga Lezha dhe mora nga Flamur Rrushi çantën. E pyeta fillimisht nëse është gjë e rrezikshme dhe më tha jo. Kur ia dhashë çantën, më dha 100 euro”, tha taksisti, i cili u la i lirë.