Gazetari Artan Hoxha deklaroi ditën e sotme se në kuadër të hetimeve për inceneratorët, u kërkua që të lëshohej një urdhër arrest për një kryetar Bashkie. Duke mos përmendur emra, Hoxha, teksa ishte i ftuar në studion e ‘Abcnews’, tha se çështja ngeli pezull pasi nuk u firmos asgjë. Më tej, ai shtoi se nëse ky kryetar Bashkie do arrestohej, hetimet për inceneratorët do merrenin një tjetër rrjedhë.

‘Për Fierin, prokuroria tentoi të bënte një goditje më lart. U tentua lëshimi i një urdhër arresti për një kryetar bashkie por nuk u miratua nga Gjykata. Nuk u firmos urdhri i Prokurorit. Por të ishte miratuar, hetimet për incineratorin e Tiranës do merrnin rrjedhje tjetër. SPAK dështoi me këtë tentativë. 128 milion euro është pagesa për Tiranën. Ndërsa për Fierin nuk u shkua dot më lart me hetimet.” tha Hoxha.

Kjo deklaratë vjen pak orë pas aksionit të SPAK për çështjen e inceneratorëve. Sot, SPAK lëshoi 11 urdhër arreste për inceneratiorin e Fierit. 5 janë arrestuar ndërsa 6 janë në kërkim. Hetimi është bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ndërkohë që në aksion për zbatimin e urdhër arresteve përvec BKH janë përfshirë dhe Forcat e Policisë Operacionalja. 10 emrat e personave për të cilët janë dhënë urdhër arrestet nga SPAK për çështjen e inceneratorit të Fierit të cilët janë: Arber Denizi, Juri Ymeraj, Silvester Dreza, Gentian Zifla, Arjola Kodra, Enver Sheshi, Robert Shabani, Regan Merdani, Luran Dusha, Arben Dervishaj dhe Giuseppe Ciaffaglione.