“Nuk do të heshtim”/ Ipeshkvinjtë e Shqipërisë ngrejnë alarmin: Vendi po shpopullohet, këtu s’ka shpresë për të jetuar!

Ipeshkvinjtë e Shqipërisë kanë ngritur alarmin për shpopullimin e vendit dhe rrezikun me të cilët do të përballen emigrantët dhe azilantët. Pas Asamblesë së zakonshme të Konferencës Ipeshkvnore, Angelo Massafra, kryetar i konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë ka dalë me një deklaratë, ku theksoi se situata është shqetësuese dhe largimi tashmë i Shqiptarëve nga vendi ka marrë përmasat e një fenomeni, pas të cilës fshihen raste tragjike dhe të paligjshme. Në fjalën e tij Massafara theksoi se familjet që përpiqen të emigrojnë përfundojnë duke u trafikuar nga grupet e strukturuara kriminale, ndërsa theksoi se e gjitha ndodh pasi shpresa për të jetuar në Shqipëri ka humbur.

“Duke vlerësuar situatën e rëndë në të cilën ndodhemi, kemi vendosur të mos heshtim, duke ngritur zërin tonë në mënyrë që të dëgjohet nga organet kompetente shtetërore dhe nga populli ynë. Kjo bëhet me qëllim që të gjejmë rrugë për t’i vendosur fre këtij fenomeni, i cili, në disa raste, shfaqet edhe në forma të paligjshme, forma pas të cilave fshihen edhe raste tragjike. Pas çdo personi apo familje që përpiqet të emigrojë, ekziston rreziku i trafikimit të qenieve njerëzore nga grupet e ndryshme të strukturuara kriminale dhe përdorimi i tyre për qëllime po kriminale jashtë vendit. Situata është e qartë në sytë e të gjithëve. Këtë na e konfirmon puna baritore e motrave dhe meshtarëve, si edhe dëgjimi i besimtarëve tanë, të cilët në mënyrë dramatike na rrëfejnë se si familje të tëra preferojnë të emigrojnë prej frikës se nuk mund t’u garantojnë një të ardhme të sigurt fëmijëve të tyre e se shumë prej tyre kanë humbur shpresën për të jetuar në Shqipëri. Në këtë mënyrë kemi një boshatisje totale të strukturave shkollore në zonat rurale (kjo d.m.th. një të ardhme pa të rinj) dhe mungesën e atyre që mund të quhen profesionet më të çmueshme për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë, siç është personeli shëndetësor, arsimor dhe profesione të ndryshme”, tha Angelo Massafara.

Angelo Massafari ka prorpozuar negociata dhe dialog me organizmat shtetërore, në mënyrë që ky problem të trajtohet me përparësinë më të madhe, sepse sipas tij, duke parë një situatë të tillë dramatike, na vjen të pyesim: Vendi i lënë bosh nga shqiptarët që emigrojnë, kujt do t’i mbesë?

“Kujt jemi duke ia dorëzuar këtë tokë? Cili është projekti për të ardhmen e këtij vendi? E gjithë kjo pasuri që gjendet në këtë tokë, në duart e kujt do të jetë? Nëse jemi demokraci nuk duhet të kemi frikë t’u përgjigjemi me kurajo këtyre pyetjeve të drejta dhe legjitime të qytetarëve tanë. Është më tepër se evidente nevoja e ndërmarrjes së politikave të drejta dhe koordinimi i të gjithë faktorëve shoqërorë të vendit, për një dialog i cili sjell zgjidhjet e duhura. Nga ana jonë si Kishë Katolike, shprehim gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë dialog si palë ndërmjetëse mes organizmave shtetëror. Po ashtu, jemi të gatshëm që të shpalosim sugjerime e projekte për këtë qëllim”, tha Angelo Massafara.

Në përfundim të fjalës së tij, kryetari i konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë theksoi se për situatën janë të gjithë përgjegjës, jo vetëm të klasës politike, ndërsa nxit të gjithë shqiptarët për një shqyrtim të thellë të ndërgjegjes për të kuptuar që fatet e vendit tonë varen prej zemrës dhe mendjes së gjithsecilit.

“Jemi të gjithë bashkëpërgjëgjës, secili sipas pjesës që i takon, në funksionimin pozitiv ose negativ të jetës sociale të Shqipërisë. Askush nuk mund t’i delegojë të ardhmen e vet një sistemi politik as iluzionit të një jete më të mirë diku tjetër. Sot, ndërsa përkujtojmë 32-vjetorin e Meshës së parë dhe në Vigjilien e festës së Martirëve të Shqipërisë, propozojmë shembullin e tyre të dashurisë për atdheun si modelin për t’u ndjekur dhe imituar. Pikërisht dashuria ndaj Zotit dhe atdheut, që ishte vendi ku provania hyjnore i vendosi për të jetuar e vepruar, duke dhënë kontributin e tyre në bashkëpunim me veprën e Krijuesit, i shtyu ata të japin jetën e tyre. Të gjithë atyre i besojmë ndërmjetësinë pranë Hyjit, bekimin e të cilit e thërrasim për këtë popull që duam me dashuri të sinqertë dhe të pakushtëzuar”, tha Angelo Massafra