“Do marrim zyrën, hajde çohuni”/ Rama injoron opozitën: Do të marrin Noc Rrokun!

Kryeministri Edi Rama, në takimin e zhvilluar me qytetarët në Tropojë nuk i ka kursyer kritikat ndaj opozitës.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, kryeministri u shpreh se i vetmi qëllim i opozitës është të bëjë rrëmujë, dhe të ndezë zjarre të vjetra për të çuar në ndarje që nuk premtojnë asgjë të mirë.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:

“Zgjedhjet janë në maj, çfarë domethënë kjo. Ne do vijmë do marrim zyrën, hajdeni njerëz çohuni. Për të marrë do të marrin noc rroku, Problemi është që Shqipërisë i bëjnë një dëm të madh dhe duke e çarë të gjithë pjesën që është e interesuar për politikën, në këtë formë angazhojnë për hesap të Kremlinit një pjesë të shqiptarëve që në mënyrë të pavetëdijshme bëhen vegla. Paguhen për ta bërë këtë punë. Na del që çadra financohej me para ruse. Kështu del. Për çfarë i morën paratë. Historia vazhdon, si mund të pranosh të shkosh pas një partie për të cilën aleatët thotë nuk kemi gjë, por për sa kohë është në duart e kësaj vegle as me këtë nuk kemi punë. Ne nuk mund ta përdorim sovranitetin për një qëndrim që bien ndesh me strategjinë kombëtare. Mund të kesh një mijë arsye të mos e shohësh PS apo mua , por asnjë nuk të justifikon të zhytesh në çorbën e parave ruse, aq më tepër që paratë i marrin për vete. Lakrat u dalin më vonë. Unë s’kam asnjë dyshim që asgjë nga këto nuk kërcënon shumicën, sepse shumica nuk është as qeveria as grupi parlamentar, sepse shumica janë njerëzit që nuk i hanë këto lloj lojëra, por kjo kërcënon dinjitetin tonë si popull, Nuk mund të jemi një popull që të marrim me pamje karagjozësh. Njerëz që janë gati të kthehen në djallin vetë, për t’i ikur drejtësisë, por si mundet ne të dalim kundër interesave tona kombëtare. Kjo është e vërteta dhe diçka që duhet ta evitojmë me çdo kusht. Mjafton të bësh rrëmujë, sherr të ndezësh zjarre të vjetra për të çuar në ndarje që nuk premton asgjë të mirë”, tha më tej Rama.

(BalkanWeb)