“5pyetjet.al” zbardh detaje të reja nga arrestimi mbrëmjen e djeshme në Tiranë. I shumëkërkuari Ilir Paja pas disa muajsh hetime, përgjime dhe ndjekje u arrestua. Njësia speciale “FAST Albania”, e arrestoi në një lokal në Laprakë.

49-vjeçari nga Berati ishte strehuar për një kohë të gjatë në Laprakë te një mik. Në momentin e arrestimit iu gjetën 5 mijë euro me vete.

Pas arrestimit, njeriu që italianët i vendosën emrin “Ufo” për shkak të arratisjeve spektakolare, do të duhet të mbyllë llogaritë me drejtësinë shqiptare dhe më pas të ekstradohet në Itali, ku e presin shumë vite burg.

Por kush është Ilir Paja?

Ai ishte arrestuar në mars të vitit 2008 pasi mori përpara me makinë një efektiv të policisë kriminale në Tiranë që e njohu se përballë tij kishte të shumëkërkuarin. Pas gati 10 viteve në qeli, në nëntor të 2017-ës, Ilir Paja u lirua me kusht para përfundimit të dënimit nga Enkeleida Hoxha, me pretendimin se vuante nga një sërë sëmundjesh, probleme shëndetësore të vërtetuara me raporte mjekësore.

Gjykata e Apelit në Milano e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi, ngjarje që kanë ndodhur rreth vitit 2006. Me plotësimin e dokumentacionit në Shqipëri, Ilir Paja pritet t’i dorëzohet autoriteteve italiane.

Gati një dekadë më parë, Ilir Paja ai mori nofkën “Ufo” nga policia italiane. Shkak u bënë dy arratisjet spektakolare të tij nga burgje të sigurisë së lartë në vendin fqinj. Së fundmi, Paja u largua nga burgu i “Fushë Krujës”, por jo sipas stilit që e bëri të famshëm. Pas më gati 10 vitesh burgimi ai u lirua nga qelia në zbatim të një vendimi gjykate. Ishte Gjykata e Krujës ajo që pranoi kërkesën e tij për liri me kusht.

Sipas vendimit, Paja duhet të qëndrojë në shtëpi dhe të mbajë kontakte me zyrën e Shërbimit të Provës. Ai po vuante dënimet me burg, dhënë nga dy vendimet të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Në vitin 2010 “ufoja” i italianeve u dënua me 15 vjet burg për ngjarjen e marsit 2008, kur përplasi me mjetin e tij “Fiat” një punonjës policie gjatë operacionit për arrestimin e tij. Shkalla e Parë e fajësoi për tentativë vrasjeje.

Apeli ndryshoi vendimin, duke e dënuar atë me 6 vjet e 8 muaj burg për akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”. Në vitin 2011 Paja mori një dënim me 15 vjet e 4 muaj burg, duke u deklaruar fajtor për një sërë veprash penale të kryera prej tij në Itali. Ai u gjykua në bazë të materialeve hetimore të përcjella me letërporosi nga autoritetet italiane.

Sipas gjykatës, veprat penale për të cilat dyshohet të jenë kryer nga Paja janë regjistruar në datat 2, 3 dhe 4 shtator 2006 në Milano, Itali. Në këtë gjykim ai u fajësua për “vrasje”, “rrëmbim ose mbajtjes peng të personit”, “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “armëmbajtje pa leje”.

/5pyetjet.al