Kisha katolike nё Shqipёri e nё mёnyrё tё veçantё kryedioqeza Shkodёr-Pult pёrkujtojnё Meshën e parë, kremtuar më 4 nëntor 1990 nga dom Simon Jubani, në varrezat e qytetit, që shënoi fillimin e rënies së regjimit komunist e rifitimin e lirisë qytetare në Shqipëri, si dhe vigjiljen a natёn e festёs sё Martirёve tё Kishёs katolike, tё peeriudhёs sё diktaturёs komuniste, tё shpallur tё Lumё mё 5 nёntor 2016 nё Kishёn Katedrale tё Shёn Shtjefnin, nё Shkodёr.
R.SH. – Vatikan

Kisha katolike nё Shqipёri e nё mёnyrё tё veçantё kryedioqeza Shkodёr-Pult pёrkujtojnё Meshën e parë, kremtuar më 4 nëntor 1990 nga dom Simon Jubani, në varrezat e qytetit, që shënoi fillimin e rënies së regjimit komunist e rifitimin e lirisë qytetare në Shqipëri, si dhe vigjiljen a natёn e festёs sё Martirёve tё Kishёs katolike, tё peeriudhёs sё diktaturёs komuniste, tё shpallur tё Lumё mё 5 nёntor 2016 nё Kishёn Katedrale tё Shёn Shtjefnin, nё Shkodёr.

Dom Simon Jubani, mё 4 nёntor 1990 kremtoi Meshën e parë në varrezat e Shkodrës duke sfiduar terrorin e diktaturës komuniste e duke bërë të shpërthente fuqia e lirisë mbi diktaturën, fuqia e së mirës mbi të keqen, e dashurisë e vëllazërimit mbi urrejtjen e përçarjen. Mesha e kremtuar nga dom Simoni hodhi themelet e lirisë e të demokracisë në Shqipëri pas dimrit të egër e të gjatë të imponuar nga komunizmi.
Prifti shkodran dom Simon Jubani njihet si një nga njerëzit e meshtarët shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgje komuniste dhe që u ka qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore e kombëtare as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve. Kështu mund të pohojmë se kremtimi i Meshës së parë më 4 nëntor 1990 në varrezat e Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtëror hyjnore e njerëzore që diktatura komuniste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë. Dom Simon Jubani u bë kështu nismëtari i rihapjes së Kishave e Xhamive në Shqipëri kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar. Kleri dhe Kisha Katolike u bënë edhe një herë shkëndija që rifitoi lirinë e rivendosi demokracinë në Shqipëri.

Dëshmia e dom Simon Jubanit për Meshën e 4 nëntorit 1990

Po ndalemi, tani, te pёrvjetori i kremtimit të Meshës së parë nga dom Simon Jubani, në varrezat e Shkodrës, në kohën e regjimit komunist, më 4 nëntor 1990, ngjarje që shënoi rënien e diktaturës e rilindjes e lirisë e të demokracisë. Po e kujtojmë këtë ngjarje kishtare, shpirtërore e kombëtare me fjalët e protagonistit, dom Simon Jubanit, nga arkivi i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit. Ta dëgjojmë dom Simon Jubanin….

Ja një dëshmi mbi fjalën apo më mirë të themi homelinë që dom Simon Jubani kumtoi atë ditë të paharrueshme që solli agimin e lirisë “Vllazën dhe Motra!

Le t’i kujtojmë për një minut në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të gjithë Ata Vllazën e Motra tona, që kanë ra për një Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme.Në vitin 1443, kur Heroi i ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë: “Lirinë nuk ua solla unë por e gjeta midis jush!”

Unë, i padenjë për këte mision po, Ju, tham: Se, fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat Tueja!…
…Shkodra qytet me një histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit e Teutës e Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë gjithë Shqipnisë tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkoder asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtarët e Gjergj Balshës së madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësit e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedjës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu në këto troje Shqiptare, të gatshëm me e ripërtri edhe njëherë traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.”