Pjesë e propozimeve të grupit Alibeaj për paketën e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor janë edhe dy pika që prekin median dhe mënyrën sesi ajo duhet të sillet, sipas këtij grupi. Këto dy pika, parashtrojnë që mediat dhe gazetarët nuk duhet të japin komente personale në kronikat e tyre, por nuk sqaron sesi do të rregullohet kjo në një fushë të lirë si gazetaria dhe ku cënon ky ligj lirinë e mendimit. Pika dy është edhe më e ashpër duke paralajmëruar gjoba nga 100 mijë lekë deri në 800 mijë lekë në varësi të postit.

PROPOZIMET E ALIBEAJT:

5. Brenda edicioneve informative gazetarët e radiotelevizionit publik radiotelevizioni publik si dhe radiot dhe televizionet private me liçensë kombëtare e kanë të ndaluar propagandën, komentet ose qëndrimet politike.

6. Në rast të shkeljes së kërkesave të përcaktuara në këtë nen, Komisioneri gjobit, sipas rastit dhe shkallës së përgjegjësisë, me 100,000 lekë reporterin që ka përgatitur kronikën, me 300,000 lekë redaktorin përgjegjës, me 500,000 lekë drejtorin e informacionit dhe me 800,000 lekë drejtorin e përgjithshëm.

Por çfarë ndodhi dje në Komision? Më shumë sesa me paketën e propozimeve, debati mes deputetëve kaloi tek afat dhe procedura e shkelur. Deputetët e opozitës që përfaqësonin partitë e vogla në komision akuzuan bashkëkryetarin e komisionit Enkelejd Alibeaj se nuk kishte marrë mendimin e ekspertëve të tyre për draftin, ndërsa deputeti Oerd Bylykbashi vuri në pikpyetje ligjshmërinë e vetë komisionit në raport me afatet zgjedhore të zgjedhjeve të ardhshme vendore. Ky qëndrim u mbështet edhe nga PS duke bërë që ky Komision të mos kishte një produkt pune konkret./Dosja.al